Putini kërcënon – do ta marrë Donbasin me forcë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë në një intervistë të publikuar të enjten se Rusia do ta marrë kontrollin e plotë të rajonit Donbas të Ukrainës me forcë, nëse forcat ukrainase nuk tërhiqen, diçka që Kievi e ka refuzuar kategorikisht.

Putini ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, pas tetë vjetësh luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase në Donbas, i cili përbëhet nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.

“Ose i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore”, ka thënë Putin për India Today përpara një vizite në New Delhi, sipas një klipi të shfaqur në televizionin shtetëror rus.

Ukraina thotë se nuk dëshiron t’i dhurojë Rusisë territorin e saj që Moska nuk ka arritur ta fitojë në fushën e betejës, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Moska nuk duhet të shpërblehet për një luftë që e ka filluar vetë.

Rusia aktualisht kontrollon 19.2% të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, të gjithë Luhanskun, më shumë se 80% të Donetskut, rreth 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhias, dhe pjesë të rajoneve të Kharkivit, Sumit, Mykolaivit dhe Dnipropetrovskit.

Rreth 5,000 km katrorë të Donetskut mbeten nën kontrollin e Ukrainës.

Në diskutimet me Shtetet e Bashkuara mbi skicën e një marrëveshjeje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës, Rusia ka thënë vazhdimisht se dëshiron kontroll mbi të gjithë Donbasin – dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin në mënyrë joformale kontrollin e Moskës.

Në vitin 2022, Rusia deklaroi se rajonet ukrainase të Luhanskut, Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhzhies tani ishin pjesë e Rusisë pas referendumeve të mbajtura që Perëndimi dhe Kievi i hodhën poshtë si një mashtrim.

Shumica e vendeve i njohin rajonet, përfshirë Krimenë, si pjesë të Ukrainës.

Putini ka pritur të martën në Kremlin të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhe ka thënë më pas se Rusia ka pranuar disa propozime të SHBA-së për Ukrainën por që bisedimet duhet të vazhdojnë.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA e Rusisë ka cituar Putinin të ketë thënë se takimi i tij me Witkoff dhe Kushner ishin “shumë të dobishme” dhe se ishte bazuar në propozimet që ai dhe presidenti Donald Trump kishin diskutuar në Alaska në gusht.