Putin vlerëson bisedimet ruso-turke si “pozitive”

Presidenti rus, Vladimir Putin, pas takimit me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se bisedimet ruso-turke mbi situatën në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib, kanë përfunduar me një rezultat pozitiv.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Moskë me homologun e tij turk, Putin tha se Rusia dhe Turqia arritën të gjejnë një zgjidhje, të pranueshme për të dyja palët.

“Kontakti i ynë i ngushtë personal na lejon neve të zgjidhim në mënyrë të shpejtë çështjet e ndryshme të bashkëpunimit dypalësh dhe të zhvillojmë qasje të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve kryesore ndërkombëtare. Ne jo gjithmonë jemi dakord me partnerët tanë turq në vlerësimet e tyre për atë që po ndodh në Siri. Por çdo kohë në momente kritike, duke u bazuar në nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe që kemi arritur, ne kemi arritur të gjejmë bazën e përbashkët për çështjet e diskutueshme që janë ngritur dhe të arrijmë zgjidhje të pranueshme. Kështu ndodhi edhe këtë herë”, deklaroi Putin.

Putin tha se të dyja palët po ashtu u pajtuan për të vazhduar punën në formatin e Astanës.

“Sot, ne konfirmuam interesin e vendeve tona në vazhdimin e punës së bashku në kuadër të formatit të Astanës. Është procesi i Astanës që së fundmi ka dhënë një impuls serioz në kontekstin e zgjidhjes siriane”, tha Putin.

Putin falënderoi delegacionet ruse dhe turke, duke theksuar se ata punuan shumë për të përgatitur takimin e sotëm.

“Takimit tonë të sotëm i paraprinë shumë punë, disa raunde konsultimesh intensive midis delegacioneve ndërinstitucionale me fokus në situatën e krizës në zonën e Idlibit. Do të doja të falënderoj presidentin që erdhi sot në Moskë dhe konfirmoi nivelin e marrëdhënieve tona. Do të doja të të falënderoj të gjithë kolegët tanë turq për punën e tyrë të vështirë, por konstruktive, e cila përfundoi, për mendimin tim, me një rezultat pozitiv”, deklaroi Putin.

Putin shprehu shpresë se marrëveshja e sotme do të mundësojë ndalimin e veprimeve ushtarake në zonën e deeskalimit në Idlib dhe do të parandalojë krizën humanitare.

“Shpresoj se këto marrëveshje do të shërbejnë si bazë e mirë për të ndaluar armiqësinë në zonën e deeskalimit të Idlibit, do t’u japin fund vuajtjeve të popullatës civile dhe krizës në rritje humanitare, si dhe do të krijojnë kushte për vazhdimin e procesit të paqes në Republikën Arabe Siriane midis të gjitha palëve në konflikt”, tha Putin.

Bisedimet e sotme erdhën pasi 36 ushtarë turq u martirizuan nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib të Sirisë javën e kaluar.

Ushtarët turq ishin në detyrë për të mbrojtur civilët lokalë nën një marrëveshje të vitit 2018 me Rusinë, sipas së cilës aktet e agresionit janë të ndaluara në rajon.

Turqia, e cila tashmë strehon rreth 3,7 milionë emigrantë sirianë, më shumë se çdo vend në botë, thotë se nuk mund të absorbojë një valë tjetër refugjatësh.

Ankaraja është ankuar vazhdimisht se Evropa nuk ka arritur t’i mbajë premtimet e saj në bazë të marrëveshjes BE-Turqi të vitit 2016 për të ndihmuar emigrantët dhe për të frenuar valët e mëtejshme të migrimit.