Pasagjeri francez në Turkish Airlines rezulton pozitiv me koronavirus

Një pasagjer francez i cili udhëtoi me Turkish Airlinies nga Londra për në Singapor ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri Covid-19, tha ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.
Avioni është kthyer pa pasagjerë nga Singapori dhe ekuipazhi do të mbahet nën mbikëqyrje për 14 ditë, tha Koca në një mbledhje shkencore në Ankara lidhur me koronavirusin.

Koronavirusi, i njohur zyrtarisht si Covid-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ai ka infektuar më shumë se 95.000 njerëz dhe ka marrë mbi 3.200 jetë në mbarë botën.

Si pjesë e përpjekjeve për të kontrolluar epideminë, shumë qeveri kanë mbyllur kufijtë e tyre dhe kanë pezulluar udhëtimet tokësore dhe ajrore me vendet më të prekura, si Kina, Koreja e Jugut, Irani dhe Italia.

Pasi e shpalli epideminë si emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, OBSH javën e kaluar e ngriti nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.