Putin u thotë biznesmenëve rusë se nuk kishte zgjidhje tjetër për Ukrainën

Disa orë pas sulmit rus kundër Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin të enjten sqaroi se Kremlini nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të “pushtonte” kufijtë e fqinjit të tij, sipas AFP, transmeton Klankosova.tv.

“Ajo që po ndodhte na la pa zgjidhje”, tha Putini gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve, duke shtuar se ‘nuk kishim asnjë mënyrë tjetër për të vazhduar’.

Vërejtjet janë në kontrast të plotë me atë që u tha më herët nga udhëheqësi rus se Moska nuk kishte plane për të nisur një pushtim të plotë.

Putin tha gjithashtu se vendi i tij dëshiron të mbetet pjesë e ekonomisë botërore dhe nuk ka plane ta dëmtojë atë.

“Rusia mbetet pjesë e ekonomisë botërore”, tha ai.

“Ne nuk do të dëmtojmë sistemin ekonomik botëror në të cilin jemi pjesë”, tha ai, duke shtuar se nuk dëshiron që Rusia të përjashtohet nga komuniteti ekonomik ndërkombëtar.

“Më duket se partnerët tanë duhet ta kuptojnë këtë dhe të mos i vendosin vetes për detyrë të na largojnë nga ky sistem”, shtoi ai.

Sulmi shkaktoi paralajmërimet perëndimore për sanksione të paprecedentë kundër Rusisë, ndërsa liderët e NATO-s, BE-së dhe G7 e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Moskën përgjegjëse.

Sulmet ajrore ruse goditën instalimet ushtarake në të gjithë vendin ndërsa forcat tokësore hynë nga veriu, jugu dhe lindja, duke detyruar shumë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre nën tingujt e bombardimeve, transmeton Klankosova.tv.