Putin: SHBA-ja imponoi rregullat e saj në Afganistan

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e cilësoi si “tragjedi dhe humbje” situatën e krijuar sot në Afganistan për shkak se SHBA-ja është përpjekur të imponojë rregullat e saj dhe mënyrën e saj të jetesës.

Putin preku çështjen e Afganistanit në një bisedë që zhvilloi me nxënësit në qytetin Vladivostok në lindje të vendit me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Ai rikujtoi se njësitë ushtarake të SHBA-së qëndruan për 20 vite në Afganistan dhe se SHBA-ja gjatë kësaj periudhe u përpoq që të “civilizojë” njerëzit që jetojnë në Afganistan.

“SHBA-ja në të vërtetë në Afganistan kërkoi që të impononte në kuptimin më të gjerë rregullat e saj, mënyrën e saj të jetesës dhe institucionet e saj politike. Rezultati nuk është gjë tjetër veçse tragjedi dhe humbje për ata që e kanë bërë këtë, për SHBA-në dhe për ata që jetojnë në Afganistan”, tha Putin.

Sipas tij, kjo tragjedi është përjetuar për shkak se nuk janë marrë në konsideratë historia, kultura, filozofia e jetës dhe nuk u respektuan traditat.

“Duhet të kuptohet se nuk mund të imponohet një gjë nga jashtë. Duhet të piqet situata. Duhet të ndihmosh njerëzit nëse dëshiron që situata të piqet më mirë, më shpejt. Por, kjo mund të bëhej dhe duhet të bëhet. Kjo duhet të bëhet në mënyrë të qytetëruar, të kujdesshme, duke vazhduar trendet pozitive, me durim dhe pa u nxituar. Pa këta faktorë është pamundur të arrihet ndonjë gjë pozitive”, tha Putin.