Putin reagon ndaj ndalimit të pjesëmarrjes së Rusisë në ngjarjet sportive

Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendimi i Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut për të ndaluar pjesmarrjen e Rusisë në ngjarjet më të mëdha sportive ishte i motivuar politikisht. Zoti Putin tha se çdo dënim duhet të bazohet në atë që dikush ka bërë dhe se është e padrejtë të ndëshkosh një grup e të ndikosh tek njerëz që nuk kanë të bëjnë me shkelje të caktuara. Komiteti Ekzekutiv i Agjencisë i ka lënë Rusisë 21 ditë afat për të paraqitur ankesën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Sipas Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut vendimi i së hënës për të dëbuar Rusinë bazohet në një konstatim të mëparshëm të Komitetit që Mbikqyr Pajtueshmërinë me kodin e kësaj agjencie, që e akuzon Rusinë për ndërhyrje në testet e kryera ndaj qindra sportistëve në laboratorin e antidoping-un në Moskë (RUSADA).

“Me rëndësi ishte hyrja në këtë laborator. Ekspertët tanë dolën në përfundimin se ata ndryshonin të dhënat. Të thuash zhgënjim mbase nuk është fjala e duhur, por këtë mund të themi për momentin”, thotë Craig Reedie, President Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut

Në vendimin e agjencisë thuhet se atletët rusë që i nënshtrohen shqyrtimeve shtesë dhe rezultojnë të pastër do të lejohen të garojnë por pa përfaqësuar asnjë vend duke hequr dorë nga flamuri dhe himni kombëtar.

Rusia ka tashmë 21 ditë afat për të paraqitur ankesën e saj në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, një gjë që zyrtarët rusë e kanë bërë të ditur se do të ndodhë.

Gjetjet e Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut e ndalojnë gjithashtu Rusinë të organizojë apo të kërkojë për të qenë vend organizator i ngjarjeve të mëdha sportive gjatë katër viteve të ardhshme.