Presidenti rus Vladimir Putin, i cili ndoqi sot stërvitjet ushtarake bërthamore të kryera nga Rusia dhe Bjellorusia, tha se përdorimi i armëve bërthamore është një masë “e fundit” dhe se këto armë duhet të veprojnë si garanci e sovranitetit rus dhe bjellorus.
Nga ana e tij, Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko deklaroi se Bjellorusia nuk do të përfshihet në luftën në Ukrainë, por do të mbrohet së bashku me Rusinë në rast të një veprimi agresiv.
Moska po kryen disa nga stërvitjet më të mëdha bërthamore në vitet e fundit, me pjesëmarrjen e 64,000 ushtarëve, që synojnë trajnimin e forcave të saj në “përgatitjen dhe përdorimin e armëve bërthamore në rast të një pushtimi”.
Si pjesë e ushtrimeve, Rusia shfaqi një nëndetëse me raketa balistike bërthamore të tipit Borei, një avion anti-nëndetëse Il-38, një MiG-31 të armatosur me një raketë hipersonike Kinzhal dhe raketa balistike ndërkontinentale RS-24 Yars.



