Putin: Lufta në Ukrainë po shkon drejt fundit, i gatshëm për marrëveshje paqeje afatgjatë

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës mund të jetë pranë fundit, gjatë një konference për shtyp pas paradës ushtarake në Moskë për Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore.

“Besoj se kjo çështje po shkon drejt fundit”, tha Putin duke iu referuar asaj që Kremlini vazhdon ta quajë “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Ai akuzoi gjithashtu Perëndimin se ka nxitur përplasjen duke mbështetur qeverinë ukrainase me armë dhe ndihma ushtarake.

Komentet e presidentit rus erdhën vetëm pak orë pasi ai përdori fjalimin e Ditës së Fitores për të justifikuar luftën në Ukrainë, duke e cilësuar Kievin si një “forcë agresive” të mbështetur nga NATO.

Parada e këtij viti në Sheshin e Kuq u zhvillua me masa të forta sigurie dhe pa ekspozimin tradicional të tankeve dhe raketave, për shkak të frikës nga sulme të mundshme me dronë nga Ukraina. Sipas raportimeve, një armëpushim i përkohshëm mes Moskës dhe Kievit u arrit në momentet e fundit me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Putin deklaroi gjithashtu se është i gatshëm të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por vetëm pasi të arrihet një marrëveshje paqeje afatgjatë. “Takimi mund të zhvillohet në një vend të tretë, por vetëm pasi të ketë marrëveshje përfundimtare”, u shpreh ai.

Lideri rus tha se mbështet edhe negociata të reja për sigurinë europiane dhe përmendi ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schröder, si partnerin e tij të preferuar për dialog.

Ndërkohë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për shkëmbimin e 1 mijë të burgosurve nga secila palë, megjithëse Putin pretendoi se Moska ende nuk ka marrë konfirmim zyrtar nga Ukraina për realizimin e procesit.