Pushteti në duart e mashtruesve dhe injorantëve është i frikshëm

Abdulla Mehmeti

Në secilin portal në gjuhën shqipe, në televizionet publike e private, në mediet shtetërore dhe lokale, në ndeja e biseda mes njerëzve, nga analistë dhe politikanë, pushtetarë dhe drejtues të partive politike, edhe pa filluar fushata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, mund të dëgjohen vetëm fjalë e premtime, një eufori e zakonshme në prag të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Pak, ose aspak nuk dëgjohet ndonjë fjalë ose mendim, se cila është gjendja reale e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet, niveli i demokracisë dhe gjendja e institucioneve dhe drejtimi i shtetit ku jetojnë.

Përderisa partitë në pushtet, LSDM, BDI, PDSH dhe Alternativa janë fokusuar në bindjen e sa më shumë votuesve që ta sigurojnë edhe një mandat të ri në pushtetin e ardhshëm, aq më tepër rritet presioni ndaj partive shqiptare parlamentare të opozitës, që të lidhin ndonjë koalicion mes tyre, madje duke e tejkaluar edhe vijën që e ndan pozitën nga opozita, për përfshirjen në këto koalicione edhe të ndonjë partie politike, e cila aktualisht është në pushtet.

Sidoqoftë, të gjitha llogaritë, mbarë e mbrapshtë, të drejtuesve të këtyre partive, nuk mund të cilësohen me asgjë se janë pjesë e shpresës dhe ndryshimit, sepse e gjithë energjia dhe propaganda e tyre është e fokusuar në kalkulimet se si të arrihet një rezultat më i mirë zgjedhor në favor të tyre dhe si ato të vijnë në pushtet, duke mos mbajtur llogari dhe përgjegjësi se në çfarë kushtesh dhe rrethanash ato e mendojnë këtë fitore të tyre të mundshme, këtë ndryshim me përmbysjen eventuale të pushtetit aktual.

Fatkeqësisht, shumë pak dhe gati nga askush nuk përmendet se:

– cili është numri i banorëve të mbetur në këtë shtet, meqë nuk jepen të dhëna të sakta zyrtare sa qytetarë e kanë braktisur vendin, së paku nga zgjedhjet parlamentare të kaluara të vitit 2016 e deri më sot;
– askush nuk përpiqet të jep përgjigje të saktë se cili është numri i votuesve shqiptarë potencialë, të cilët janë aktualisht në vend dhe, sa është numri i votuesve të interesuar për zgjedhjet e ardhshme;
– askush nuk flet për numrin dhe përqindjen e qytetarëve të mbetur në vend, si votues potencialë të cilësdo parti politike të shqiptarëve.

Përderisa lista e përgjithshme e votuesve është e pandryshuar, e pa pastruar nga votuesit fiktivë, ndërsa së paku 100 mijë qytetarë shqiptarë, votues potencialë, janë larguar nga vendi në vitet e fundit, trupi i përgjithshëm votues i shqiptarëve është zvogëluar për së paku 70 mijë votues, duke llogaritur bashkë me këtë numër edhe nivelin e ulët të vetëdijes politike të qytetarëve, ose prirjen e një numri të madh të shqiptarëve për t’i votuar koalicionet dhe partitë politike joshqiptare, numri i votuesve potencialë që do t’i votojnë kandidatët për deputetë të partive shqiptare, të pozitës dhe opozitës së bashku, nuk mund të sigurojë më tepër 17-20 mandate deputetësh shqiptarë në përbërjen e re të Parlamentit, pas zgjedhjeve të ardhshme të 12 prillit.

Cili do të ishte suksesi i partive shqiptare nëse nuk fitojnë numër të mjaftueshëm të deputetëvepër të ndikuar në cilësinë e pushtetit të ardhshëm në këtë shtet dhe forcimin e faktorit politik shqiptar?

Në bazë të numrit të përgjithshëm të banorëve dhe përqindjes reale të shqiptarëve në Maqedoni, prej së paku 35% – 40%, partitë e shqiptarëve duhet të sigurojnë së paku 46 – 52 deputetë, nga 120 deputetë sa ka gjithsej Parlamenti i Maqedonisë Veriore, jo 20 deputetë sa kanë aktualisht partitë shqiptare, apo ta rrezikojnë edhe më tepër uljen e numrit të tyre.

Përderisa përçarjet dhe ndasitë mes partive politike të shqiptarëve po thellohen gjithnjë e më tepër, çdo ditë e më tepër zvogëlohet numri i banorëve shqiptarë për shkak të shpërnguljes së madhe në botën e jashtme, me këtë zvogëlohet edhe numri i votuesve shqiptar, cila është logjika që mund ta pranojë këtë propagandë boshe dhe premtimet e drejtuesve të këtyre partive se, vjen koha e ndryshimeve dhe ditë më të mira për shqiptarët në këtë shtet?

Nëse kësaj i shtohen edhe probleme të tjera lidhur me kodin zgjedhor me sistem të vjetër, nuk krijohet një njësi e vetme zgjedhore, apo nuk barazohet numri i votuesve në njësitë zgjedhore ekzistuese, dhe nuk u mundësohet qytetarëve të votojnë me lista të hapura, shpresat për ndryshime pozitive në skenën politike, së paku për shqiptarët, sigurisht që nuk pritet të ndodhin.

Edhe kësaj radhe, ora e ligë do t’i ndjek shqiptarët, për shkak të orientimit të gabueshëm dhe strukturës laramane të partive politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

Eksperimenti vazhdon, me këtë vazhdon edhe mashtrimi i qytetarëve shqiptarë nga politika, sa edhe në fund të këtij tuneli nuk shihet ndonjë dritë shprese e shpëtimi, por një greminë e thellë, e errët dhe vdekjeprurëse, për aq sa popullit shqiptar do t’i duhet shumë mund, sakrifica dhe përkushtim për ta kompensuar kohën e humbur dhe dëmin nga kjo politikë mashtruese, me politikanë që përditë i mbushin stacionet dhe aeroportet me shqiptarë, udhëtarë me bileta njëdrejtimëshe për në botën e jashtme, i mbushin varret me viktima nga sëmundjet dhe varfëria e skajshme, e vrasin ardhmërinë e këtij populli vetëm për teket e tyre injorante dhe nga lakmia për pasuri, famë e pushtet e një grushti politikanësh të korruptuar e mercenarë, të cilët nuk arritën të mësojnë asgjë nga përvoja e keqe e politikanëve të tjerë, që kanë qenë para tyre në skenën politike në këtë shtet, i cili gjithmonë ka ndjekur politika diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët në Maqedoni, në këtë gjendje siç janë sot, nuk kanë asnjë alternativë, madje nuk i shpëton as bojkotimi i zgjedhjeve të radhës, siç mendojnë disa.

Edhe kësaj radhe na pret një humbje e madhe e radhës, me fajin tonë, duke eksperimentuar me fatin dhe të ardhmen e vendit dhe të gjeneratave të reja, që nuk arritëm t’i bindim me vepra se kanë prindër që dinë t’ua ndërtojnë të ardhmen e tyre më të mirë! E frikshme dhe turpshme, njëkohësisht!

(5 shkurt 2020)