Gjatë punimeve për restaurimin e tubacioneve të kanalizimeve në një pronë në Flandrën Lindore të Belgjikës, punëtorët zbuluan një thesar të fshehur në muret e bodrumit. Mes rrënojave gjetën shufra ari dhe monedha ari, ndërsa në fillim studenti i quajtur Kobe mendoi se bëhej fjalë për monedha 1-euroshe. “Pastaj pamë një copë ari dhe kuptuam se ishte diçka më e madhe”, tregoi ai për transmetuesin publik belg VRT. Edhe pse zbulimi i befasoi, studentët dhe menaxheri i kantierit vendosën të mos e mbanin sekret dhe njoftuan policinë.
Prona ku u gjet thesari është aktualisht në pronësi të CAË Oost-Vlaanderen, një organizatë që ofron mbështetje sociale në Dedmonton, një komunitet flamand me rreth 47 mijë banorë. Drejtori i organizatës, Gert Hillaert, tha se reagimi i tij i parë ishte “habi” dhe shprehu shpresën se, nëse thesari u takon atyre, paratë mund të përdoren për të financuar punën e bamirësisë dhe për të përballuar nevojat e mëdha sociale që hasin çdo ditë. Ndërkohë, policia e ka zhvendosur thesarin në një vend të sigurt dhe ka nisur procedurat për të përcaktuar pronarin e tij të ligjshëm. Edhe prokurori vendas ka hapur një hetim, ndërsa ende nuk dihet se kujt i përkiste ari i fshehur.
Tani fillon pjesa më interesante: kush do ta marrë thesarin? Sipas ligjit belg, pronari i ligjshëm ka pesë vjet kohë për t’u paraqitur dhe për ta kërkuar. Nëse askush nuk shfaqet dhe nuk rezulton që ari lidhet me ndonjë aktivitet kriminal, ligji civil parashikon që thesari i fshehur në pronën e dikujt tjetër të ndahet mes gjetësit dhe pronarit të pronës. Kjo do të thotë se kontraktorët që e zbuluan dhe organizata bamirëse që zotëron tokën mund të kenë të dyja të drejtë mbi thesarin. Për momentin, megjithatë, atyre u mbetet vetëm të presin: deri në 1,823 ditë përpara se të dihet nëse thesari do të ketë një pronar të ri.
© SYRI.net



