Punëtorët e Librave Amë prej nesër në grevë! Disa marrin rrogë 14.500 denarë

Rreth 500 punonjës të Drejtorisë së Librave Amë prej nesër në orën 8 do të nisin grevë. Kërkojnë paga më të larta. Greva organizohet nga Sindikata e Pavarur e Drejtorisë së librave amë. Sportelet për paraqitjen e kërkesave për lëshimin e certifikatave të lindjes, të martesave dhe certifikatave të vdekjeve nuk do të funksionojnë. Greva është pasojë e hasjes për tre vjet në vesh të shurdhër të autoriteteve komptente për rritjen e pagave të punëtorëve në shërbimet e librave amë, të cilat arrijnë në 14.500 denarë, që është më pak se paga minimale.

“Ne si sindikatë e pavarur e Drejtorisë së Librave Amë konsiderojmë se duhet të ketë rritje lineare të pagave për të gjithë punonjësit në Drejtorinë e Librave Amë, sepse kostoja e jetesës është vazhdimisht në rritje, ndërsa pagat e punonjësve nuk janë rritur fare për shumë vite, madje edhe disa punonjës paguhen nën pagën minimale”, theksoi Toni Milloshevski, kryetar i Sindikatës të Drejtorisë së Librave Amë.