Numri i lartë i konkurseve për punësim në muajt e fundit, për kryeministrin Oliver Spasovski, nuk ka të bëjë me zgjedhjet e 12 prillit. Kryeministri deklaroi se gjatë periudhës së fundit nuk është rritur numri i punësimeve por shpallen konkurse në bazë të nevojave të institucioneve.
Ju e dini që deri në shpërndarjen e Kuvendit, deri në shpalljen e zgjedhjeve, punësime në institucione mund të bëhen dhe nuk ka asgjë kontestuese këtu. Nuk ka rritje të numrit të konkurseve dhe personave që punësohen në këtë moment. Nga momenti kur ligji nuk do të lejojë punësime të reja, sigurisht se çdo institucion duhet të mbajë llogari të mos e bëjë këtë që të mos e dëmtojmë procesin zgjedhor dhe të mos e shkelim Kodin zgjedhor. Kështu që kjo nuk është aspak e lidhur me zgjedhjet – tha Oliver Spasovski, kryeministër.
Kryeministri Spasovski tha numri më i madh i konkurseve për punësim në këtë periudhë ka të bëjë me angazhimin me kontratë të mësimdhënësve në gjysmëvjetorin e dytë shkollor. Megjithatë, Alsat kishte alarmuar edhe më herët për shtimin e numrit të konkurseve për punësim që pas dakordimit të 12 prillit si datë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas informacioneve të Alsat, që nga fillimi i tetorit, numri i konkurseve për punësim është rritur madje për 60% në krahasim me muajt tjerë të vitit. Edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kishte deklaruar se monitoron situatën dhe do të reagojë në rast të shkeljeve. Shtimi i punësimeve ka qenë praktikë e zakonshme në prag të çdo cikli zgjedhor.
Nga ana tjetër, Qeveria prezantoi Planin operativ për punësim për vitin 2020 për realizimin e të cilit parashikohen 1.4 miliard donarë për subvencionim e mikrobizneseve, trajnime për të papunët dhe subvencionimin e pagave. Ai pritet të përfshijë rreth 12 mijë persona. Me 447 milion denarë do të subvencionohen edhe 1364 mikrobiznese për vetëpunësim. Me këtë plan për vitin 2020 qeveria beson se do të krijohen 1 mijë e 900 vende të reja pune. Gjatë prezantimit të planit, të pranishëm ishin vetëm përfaqësues të qeverisë së rregullt të para 3 janarit. Në vend të ministres për Punë dhe Politikë Sociale nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Rashela Mizrahi, ishte zëvendësministrja plotësuese nga radhët e LSDM-së, Sanella Shkrijel.
Kjo masë është e Qeverisë, këtu është Kryeministri, zëvendëskryeministrja, persona që kanë punuar në sjelljen e planit operativ për vitin 2020 i cili kërkonte analizë në gjashtë muajt e kaluar – tha Mila Carovska, zëvendëskryeministre për çështje ekonomike.
Plani operativ për punësim do të përfshijë trajnime dhe mbikualifikime për të papunët e regjistruar në Agjencinë për punësim.