Publikohet rezultati i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, ja cila parti prin

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vijuar numërimi i votave me kusht dhe personave me aftësi të kufizuara.

Deri në ora 12:00 janë numëruar 8135 vota nga 31 mijë e 500 vota me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 vota të personave me nevoja të veçanta në total.

Prej votave të numëruara, 3775 prej tyre i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa 1526 Partisë Demokratike të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 853 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 865 vota.

Pjesa tjetër e votave është shpërndarë në subjektet e tjera politike.

Në lidhje me procesin e numërimit të votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta, më vonë gjatë ditës pritet edhe një konferencë nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë vendosur në ditën e zgjedhjeve në vendvotimet e dyfishta, por edhe në adresa të ndryshme jashtë vendvotimeve.

Afro 31 mijë e 500 vota me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 vota të personave me nevoja të veçanta, të cilat u takojnë komunave të ndryshme dhe që do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Nga numërimi që u bë mbrëmë, Lëvizja Vetëvendosje prin sa i përket shumicës së votave, për dallim nga partitë e tjera politike.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 2230 vota, Partia Demokratike e Kosovës 1134 vota, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 695 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës 491 vota, Nisma Socialdemokrate 172 vota.

Duhet përkujtuar që pas përfundimit të këtyre votave do të numërohen edhe fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë Kosova nga 2 deri më 12 shkurt.