Janë publikuar pamje të dëmeve që pasuan sulmet amerikane në Venezuelë, ku shihen dëme në infrastrukturë dhe automjete të djegura në bazën ajrore La Carlota, afër Karakasit.
Sulmet u kryen të shtunën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, sipas tyre, sulmuan Venezuelën dhe rrëzuan udhëheqësin e saj autokratik, Nicolás Maduro.
Në transmetim të drejtpërdrejtë në televizionin qeveritar venezuelan u shfaqën disa automjete civile të djegura, dëmtime në gardhe dhe tym që ngrihej brenda bazës ajrore.
Trump tha se operacioni u zhvillua “në bashkëpunim me organet amerikane të zbatimit të ligjit” dhe premtoi më shumë detaje në një konferencë për media në Mar-a-Lago të Floridës.
Një zyrtar amerikan tha për Reuters se Maduro iu dorëzua forcave speciale elitë dhe u arrestua. Senatori republikan amerikan, Mike Lee tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i kishte thënë se Maduro do të përballet me drejtësinë amerikane për akuzat penale.
Autoritetet venezuelane thanë se në sulmet e së shtunës kanë vdekur civilë dhe ushtarakë, por nuk dhanë shifra të sakta të viktimave.
Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Vladimir Lopez, njoftoi se ushtria po përgatitet dhe lëshoi mesazhe të forta për publikun. Ai e përshkroi atë që ndodhi si një “sulm kriminal dhe terrorist” ndaj popullit dhe vendit të tyre, duke shtuar se Venezuelanët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të besojnë te udhëheqësit e tyre ushtarakë dhe politikë.




