Publicisti Veton Surroi: Rambujeja ishte minuta larg dështimit, historia e Kosovës do të ishte ndryshe

Publicisti Veton Surroi ka thënë se në negociatat e Rambujesë delegacioni kosovar ka qenë “disa minuta larg dështimit”, çka sipas tij do të kishte ndryshuar tërësisht rrjedhën historike të vendit.
Gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me Muhamet Mustafën, ekspertin e ekonomisë, Surroi kujtoi se në dy momentet historike kryesore për Kosovën ka pasur thirrje për unitet, por shpesh të nxitura nga faktorët e jashtëm.

“Në Rambuje ne jemi bashkuar, sepse në masë të madhe e kanë kërkuar amerikanët. Ata kanë dalë si garantues të bashkimit tonë”, rrëfeu ai.

Ai tregoi se delegacioni kosovar, edhe pse funksionoi si ekip, ka qenë shumë afër prishjes së marrëveshjes për shkak të mospajtimeve të brendshme.

“Në Rambuje ne kemi qenë shumë afër dështimit, disa orë larg dështimit, disa minuta larg dështimit”, u shpreh Surroi, duke theksuar se edhe prania e sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, nuk do të kishte qenë e mjaftueshme pa vullnet të brendshëm politik.

Sipas tij, momenti kritik u zgjidh vetëm pasi propozoi një formulë kompromisi që u pranua nga të gjithë.

“E pranonim dokumentin dhe e pranonim pa ndryshime, për të mos hyrë në rinegociim që do ta zbehte dokumentin. Kjo e shpëtoi pozicionin tonë politik”, ka thënë Surroi, duke kujtuar përgjigjen që ia dha ministrave të Jashtëm, mes tyre edhe italianit Lamberto Dini, i cili ishte kundërshtues ndaj delegacionit kosovar.

Ai vlerësoi se përkundër vullnetit të mirë të fuqive të mëdha, bashkimi nuk është i mundur pa gatishmërinë e brendshme.

“As vullneti i mirë i superfuqisë nuk mund të të detyrojë për bashkëpunim nëse ti nuk do”, shtoi Surroi.

Surroi foli edhe për procesin e Vjenës, duke thënë se funksionoi më mirë pasi u zhvillua në rrethana tjera, pa rrezik për jetën dhe me mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.