PTHP: Një i dyshuar për të shtënat në rrugën e plastikave

Prokuroria themelore publike Shkup solli urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër një personi për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepra penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe “përpunim i palejuar, mbajtje dhe tregtim me armë zjarri dhe materie shpërthyese”, ndërsa prokurori kompetent publik i shqiptoi ndalesë për largim nga vendbanimi.

“Me automobil, i dyshuari dhe vëllai i tij arritën në vendin e ngjarjes, para hyrjes së një shitoreje për ta kërkuar borxhin prej 10.000 eurove. Kur në shitore kanë qenë të pranishëm, borxhliu, vëllai dhe babai i tij, ka ndodhur zënkë verbale, e më pas edhe rrahje. Për një moment, i dyshuari ka nxjerrë pistoletën të llojit Beretta të kalibrit 9 mm dhe ka shtënë. Më pas e ka qëlluar të dëmtuarin – babain e borxhliut në këmbë dhe i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor. I dyshuari dhe vëllai i tij kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, kumtoi PTHP.

Me qëllim të zhvillimit të papengueshëm të procedurës dhe sigurimit të pranisë së personit të dyshuar, thuhet në kumtesë, prokurori kompetent publik propozoi të caktohen masa të kujdesit: ndalesë për largim nga vendbanimi përkatësisht vend qëndrimi , obligim që i dyshuari të paraqitet kohë pas kohe tek personi i caktuar zyrtar apo tek organi kompetent, marrja e përkohshme e dokumentit të udhëtimit për kalim të kufirit shtetëror përkatësisht ndalesë për dhënie të tij, si dhe ndalesë për afrim apo vendosje përkatësisht mbajtje të kontakteve dhe lidhjeve me të dëmtuarin dhe me djemtë e tij.