PSG propozon shkëmbimin Paredes-Pjaniç, por boshnjaku ëndërron Barcelonën

Miralem Pjanic nuk është regjisori ideal për skuadrën e Maurizio Sarrit dhe pritet të lërë Juventusin këtë verë, ndërsa së fundi në garë për shërbimet e tij është futur edhe Paris Saint Germain.

Klubi kampion i Francës ka ofruar një shkëmbim kokë më kokë mes boshnjakut dhe mesfushorit argjentinas Paredes, një element ky që vlerësohet nga trajneri i Juventusit si i përshtatshëm për të luajtur para mbrojtjes.

Megjithatë problem mbetet vullneti i Miralem Pjanic, që e ka bërë të qartë se do të largohet nga Torino vetëm nëse do t’i krijohet mundësia për t’iu bashkua Barcelonës, ndërsa pak ditë më parë menaxheri i boshnjakut pranoi se futbollisti është një fans i katalanëve.

“Miralem është një fans i Barcelonës dhe nuk humb asnjë ndeshje të tyre, pasi pëlqen shumë stilin e lojës që ata ushtrojnë. Ai ka nëj talent dhe eksperiencë të mjaftueshme, që i mundëson të luajë në çdo skuadër në planet, por ëndrra e Mire është të veshë fanellën e Barcelonës”, deklaroi Adis Junuzovic, menaxheri i futbollistit boshnjak.

Katalanët negociojnë prej javësh me Juventusin për të marrë shërbimet e Pjanic, por synimi është që të mos shpenzojnë para dhe ta marrin boshnjakun në shkëmbim me ndonjë futbollist tjetër.

Emri i ofruar dhe i pëlqyer edhe nga Juve, është ai i brazilianit Arthur, por ky i fundit nuk duket ende i bindur për të lënë Barcelonën dhe për t’iu bashkuar bardhezinjve në Torino, pasi dëshiron të luajë shanset e tij në “Camp Nou”.