
Shumë gjëra flisnin për një sulm amerikan ndaj Iranit të mërkurën në mbrëmje.
A i ndryshoi planet Presidenti i SHBA, Donald Trump, në momentet e fundit?
Shenjat tregonin se SHBA-ja ishte shumë pranë një goditjeje ushtarake kundër regjimit iranian, thotë reporteri i CNN, Fred Pleitgen, në podcast-in e zëvendëskryeredaktorit të BILD, Paul Ronzheimer.
Iranianët kishin mbyllur hapësirën e tyre ajrore. SHBA kishte nisur një evakuim të pjesshëm të bazës së saj ushtarake në Katar. Për më tepër, sipas Pleitgen, amerikanët kishin ngritur në ajër gjashtë avionë cisternë nga baza e tyre në Katar.
Kjo mund të nënkuptonte dy gjëra: që avionët të mos qëndronin në tokë në rast të një kundërsulmi iranian, ose që ‘avionët cisternë mund të kishin qenë pjesë e një operacioni më të madh ushtarak – për shembull, për të furnizuar me karburant avionët luftarakë që do të fluturonin drejt Iranit’.
Trump u kishte premtuar iranianëve ndihmë nëse regjimi islamist do të qëllonte demonstruesit. Pikërisht këtë bëri udhëheqja iraniane, duke vrarë me gjasë mijëra qytetarë.
Por nëse presidenti amerikan e ka anuluar një sulm, çfarë mund ta ketë shtyrë drejt kësaj?
“Sipas mendimit tim, është vërtet shumë e mundur që ky të ketë qenë një vendim i marrë realisht në sekondën e fundit”, thotë Pleitgen. “Ndoshta ka pasur një moment kur ushtria amerikane i ka thënë Trump: kjo është ‘pika pa kthim’ dhe ai ka thënë: ‘Në rregull, nuk e bëjmë’.”
Trump mund të mos ketë qenë i bindur se do të arrinte efektin e dëshiruar me një sulm ushtarak, shpjegon Pleitgen. Me fjalë të tjera: ndoshta Trump nuk besonte se një sulm ushtarak do ta dobësonte në mënyrë vendimtare regjimin iranian – dhe u tërhoq.
Edhe nëse do të arrihej eliminimi i udhëheqjes iraniane, do të lindnin pyetje shumë të vështira: “A ekziston ndonjë forcë që do të ishte në gjendje ta merrte vendn nën kontroll, të ruante stabilitetin dhe ta drejtonte situatën në një drejtim që SHBA-ja dëshiron? Nuk jam i sigurt nëse kishte vërtet qartësi se cili do të ishte plani pas ditës X”.
Përveç kësaj, do të kishte pasoja të paparashikueshme për rajonin. Pleitgen, i cili ka raportuar shpesh nga Irani, shpjegon: “Nuk duhet harruar: Irani është një vend me 90 milionë banorë. Shumë prej tyre janë të armatosur, ka grupe guerile dhe milici besnike në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo është diçka krejt tjetër nga Venezuela”.
“Besoj se kjo është një vendim shumë i vështirë”, thotë gazetari amerikan. “Kur ke vënë tashmë kaq shumë gjëra në lëvizje – ke evakuuar bazat në rajon, ndoshta ke avionë në ajër – atëherë anulimi nuk është i lehtë”.
Ronzheimer shton se ka dëgjuar nga shtete të ndryshme, si Katari dhe Arabia Saudite, se ato janë shprehur fuqishëm kundër një sulmi. “Tani e dimë që veçanërisht Katari ka ndikim të madh mbi Donald Trump, dhe se është e mundur që ata ta kenë ushtruar këtë ndikim”.
Arsyeja: atyre u duket më i pranueshëm një regjim iranian i dobët sesa një situatë krejtësisht e re dhe potencialisht kaotike në Lindjen e Mesme.
Ekziston edhe një aspekt i brendshëm politik për Trump: “Baza e tij është kundër ‘aventurave jashtë vendit’, siç i quajnë ata vetë”, thotë Pleitgen. “Sidomos nëse kjo do të zgjaste më shumë, ai mund të kishte probleme serioze me mbështetësit e tij”. Ky është pa dyshim një tjetër faktor me peshë.
Me fjalë të tjera: Trump e di se votuesit e tij i shohin me shumë dyshim angazhimet e gjata dhe të kushtueshme ushtarake jashtë vendit. Meqë në vitin 2026 rizgjidhet Dhoma e Përfaqësuesve, presidenti amerikan mund të hezitojë të marrë rreziqe të mëdha në politikën e jashtme.
A do të ketë pra një sulm amerikan ndaj Iranit? Ende është krejtësisht e paqartë.
Pleitgen përfundon: “Trump gjithmonë e ka opsionin të nisë diçka të re ose ta rikthejë këtë plan”.
Presidenti amerikan mund të vendosë të godasë në një moment tjetër.
© SYRI.net


