Shkruan: Fitim Nuhiu
Këtë vit, në jubileun e Wiz Air Maratonës së Shkupit kanë marrë pjesë një numër rekord vrapuesish, gjithsej 13.400 garues nga 55 vende të ndryshme të botës. Zakonisht, Maratona tradicionale e Shkupit organizohet nga Qyteti i Shkupit dhe Misioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, ndërsa mbështetëse është Ministria e Sportit.
Në maratonë u vrapua në katër gara: maratona e plotë – 42 km, gjysmëmaratona – 21 km, gara rekreative – 5 km dhe maratona stafetë (ku 4 garues vrapojnë distancën e maratonës nga 10.5 km).
Ministri i Sportit, Borko Ristovski ua dorëzoi medaljet më të suksesshmëve në edicionin e sotëm të 20-të jubilar të Maratonës së Shkupit.
* * *
Të dielën që shkoi, gjegjësisht me datë 06.10.2024 në qytetin e Shkupit u mbajt një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare sportive para syve tanë, madje ne si qytetarë (shqiptarë) të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e pamë e nuk i dhamë vëmendjen e duhur, nuk dolëm t’i përkrahim, t’i brohorasim, e të përshëndesim këtë ngjarje kaq të madhe sportive, ku ishin të pranishëm të gjithë ata vrapues nga kaq shumë vende të ndryshme të botës. Gjithashtu edhe mediat tona sikur nuk u interesuan aspak, jo, gabim e pasna pasë, qenkan interesuar vetëm sa për t’i informuar qytetarët për regjimin e komunikacionit rrugor, bllokimin e disa rrugëve ku do të vrapojnë garuesit, linjat e autobusave që nuk do të funksionojnë si zakonisht për shkak të kësaj ngjarje që do të bllokojë e do ta ‘pengojë’ lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Kësaj ngjarje nuk i dhanë rëndësinë e duhur jo vetëm mediat, por as edhe politikanët tanë, e madje ironikisht as edhe qendrat sportive që supozohet që të ishin të sinkronizuara me këtë ngjarje të madhe, gjë që kjo pavëmendje, në përgjithësi e dëshmon për një letargji të rrezikshme qytetare, që zor se mund të dalë nga kjo kllapi e ky pasivitet.
Kur e them këtë shqetësim, e kam fjalën për mediat shqiptare që veprojnë brenda Maqedonisë së Veriut, por nuk përjashtohen edhe për ato të Kosovës dhe Shqipërisë, ku ngjarjet e një niveli dhe karakteri të tillë nuk guxojnë të kalojnë në terma kaq indiferentë, ngjarje ku u zhvillua shumë pak kilometra afër vendit të tyre.
Nuk u informuam ne si qytetarë, se, vallë a patëm maratonistë shqiptarë në këtë garë, i pyeti apo a u interesua dikush për ta…?!?
Niveli ynë sportiv, pjesëmarrja jonë në aktivitete sportive qofshin ato individuale apo kolektive lë për të dëshiruar, sepse fillimisht s’kemi arritur nivelin qytetërues në nivele elementare, e lëre më shumë, që sporti në këtë mes sikur na duket një luks, që është shumë larg nesh. Mosinteresimi ynë ndoshta edhe është një indikator se edhe jetën tonë e marrim kaq shumë ‘seriozisht’ e jo me sportivitet siç supozohet ta marrim, prandaj edhe rezultatet po i shohim dhe po i korrim çdo ditë e më shumë.
Lajmet tronditëse të tilla si: “u vetëvra i riu, u rrahën për vdekje të rinjtë, u sulmuan me thika mes vete nxënësit e një shkolle fillore shqipe”, etj… lajme pafund për incidente të tilla, po na dëshmojnë se na janë bërë fenomen social, mirëpo theksoj që këto gjëra sikur na ndodhin vetëm në hapësirat shqiptare, e jo edhe te popujt tjerë fqinj, s’po e them që fare s’ndodhin te ata, por në raste më të izoluara. E them këtë gjë i zhgënjyer, duke pasur parasysh se ligjërata të shumta fetare jepen nëpër këto hapësira shqiptare (kupto në Shkup), ku feja është në një dominancë relevante në formimin e këtij popullit të kësaj treve. Diçka këtu sikur nuk po funksionon, një hallkë sikur na është këputur, e akoma s’jemi të vetëdijshëm për këtë fakt. Feja supozohet të bëjë njeriun më njerëzor, më human, më qytetar, pse jo edhe më sportiv, gjë që këtë s’po e shohim në realitetin e përditshëm. Prandaj, e them se sporti në këtë mes, si kulturë është veprimtari njerëzore qëllimi i së cilës është argëtimi dhe zhvillimi apo krahasimi i aftësive psikike dhe fizike dhe jo vetëm. Sporti gjatë historisë na jep të dhëna të rëndësishme mbi ndryshimet shoqërore që mund t’i ketë. Sporti si aktivitet përfshin aftësitë fizike e mendore të njeriut, me qëllim për t’i ushtruar dhe përmirësuar vazhdimisht, e për t’i përdorur më pas në një mënyre më frytdhënëse në shoqërinë ku ai/ajo jeton.
Nuk dua të ndalem më shumë për përfitimet e shumta që sporti u jep njerëzve, sepse një gjë të tillë e kanë bërë profesionistët, ku mes tjerash thonë: sporti promovon edhe një stil jetese të shëndetshëm, duke ndihmuar të kultivojmë disiplinën dhe angazhimin dhe duke inkurajuar një dietë tërheqëse. Gjithashtu përforcon lidhjet sociale komunitare dhe ndihmon në zbutjen e stresit dhe ankthit. Është shumë më tepër se thjesht aktivitet fizik; ai është një mjet i fuqishëm për të mbajtur trupin dhe mendjen të shëndetshëm dhe për të promovuar një jetesë të qëndrueshme dhe të lumtur, etj, etj…
Se përse akoma shqiptarët këtë gjë nuk e kemi kuptuar, apo që akoma sportin e shohim që me të merren vetëm disa që “i ka ikur treni i kohës”, dhe disa të “marrë”, kjo është edhe më shqetësuese.
Në këtë mes, përgjegjës janë Ministria e Sportit, (theksoj vartësit shqiptarë), por edhe profesionistët, klubet e ndryshme sportive, që përmes projekteve inkurajuese, aktiviteteve atraktive sportive me të rinjtë, të aktivizojnë ata me forma të ndryshme që t’i vetëdijësojnë jo vetëm të bëjnë sport (të ndjekin kurset e futbollit, me idenë e prindërve fukarenj mos po i ndez e të përfitojnë nga talenti i mundshëm i fëmijës së tij se kjo gjë po shitet mirë sot, etj) por edhe të kenë si qëllim kohezionin e tyre social dhe komunitar që të zhvillojnë dialektikën sociale dobiprurëse qytetare.
Duhet kuptuar njëherë e mirë që sporti është kultura më e lartë e një populli apo një individi, që vetëm përmes saj tregohen aftësitë psiko-fizike dhe sociale se sa i kanë të zhvilluara, përndryshe individi që përçmon sportet mbetet një fosil, një mbetje, një zvarranik që bren kohën gjersa t’i vijë pleqëria e vdekja në një mjerim jo vetëm shëndetësor, por edhe qytetar.
E përfundoj, me shpresën që Maratonën tjetër të ardhshme të Shkupit, ta mirëpresim, ta duartrokasim, ta përkrahim, pse jo edhe të pjesëmarrim në mënyre aktive si garues potencialë, duke bërë trajnimet dhe ushtrimet e duhura, paraprakisht!