Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kanë votuar rreth një rezolute për armëpushim humanitar në Gaza. Në votimin përfundimtar, 13 përfaqësues shtetesh ishin “për”, një “kundër” dhe një abstenoi. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara ushtruan të drejtën e vetos.
SHBA, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, votoi kundër. Aleati i saj, Britania e Madhe, abstenoi nga votimi. Kjo përfundimisht do të thotë se rezoluta nuk u miratua.
Përfaqësuesi i SHBA-së, Robert A. Wood shpjegoi arsyen pse e vuri veton ndaj rezolutës.
Aambsadori e quan procesin si “të nxituar” dhe thotë se i mungonte “konsultimi i duhur”. Zyrtari amerikan deklaroi se pjesa më joreale e rezolutës është thirrja e saj për një “armëpushim të pakushtëzuar”.
Më pas, ai shton se “thjesht do ta linte Hamasin në vend, në gjendje të rigrupohet dhe të përsërisë atë që bëri më 7 tetor”. Wood këtë qëndrim (rezolutë) e cilësoi si “recetë për fatkeqësi të reja për Izraelin dhe për palestinezët, por edhe për të gjithë rajonin”.