Protestat, të cilat kanë nisur në Teheran më 28 dhjetor janë shkaktuar nga rënia e monedhës iraniane – rialit dhe shpejt janë shndërruar në demonstrata mbarëkombëtare kundër regjimit, me qytetarë të zemëruar edhe ndaj kufizimeve sociale dhe politike të vendosura nga qeveria.
The Guardian shkruan se monedha ka vazhduar të zhvlerësohet, ndërsa qeveria ka njoftuar përfundimin e kursit të subvencionuar të këmbimit për importuesit, një veprim që ka bërë të rriten ndjeshëm çmimet e ushqimeve.
Në shtator, sanksionet e gjera të OKB-së kundër Iranit hynë sërish në fuqi për herë të parë pas një dekade, pasi u aktivizuan nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania (të ashtuquajturat “E3”), pasi Teherani zyrtar nuk arriti t’i bindte fuqitë perëndimore se do t’i adresonte shqetësimet e tyre lidhur me programin e tij bërthamor.
Këto ishin një “rikthim i menjëhershëm” i masave që ishin ngrirë në vitin 2015, kur Irani pranoi kufizime të mëdha ndaj programit të tij bërthamor në kuadër të një marrëveshjeje të negociuar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama.
Irani ishte tashmë nën presion të madh ekonomik për shkak të sanksioneve amerikane që e shkëputën vendin nga sistemi financiar global.
Sanksionet ndërkombëtare kanë luajtur një rol të madh në përkeqësimin e kushteve ekonomike për iranianët e zakonshëm, të cilët po përballen me inflacion të lartë, rritje të fortë çmimesh dhe një zhvlerësim të madh të rialit.
Kriza ekonomike e Iranit u përkeqësua sërish pasi Izraeli dhe SHBA-ja ndërmorën sulme qershorin e kaluar, në një luftë 12-ditore që kishte në shënjestër disa nga objektet bërthamore të vendit.




