Pse nuk protestohet për vrasjet e pasluftës, pse shoqëria po hesht?!

U protestua ndaj Gjykatës Speciale, ndonëse protesta është si parim e ligjshme kjo s’kishte të bënte fare me realitetin. Paraparakisht të kujtojmë se Kosova nuk është vetëm plagë e luftës, por edhe gjaku i derdhur pas saj.

Nga viti 1999 e deri në mesin e viteve 2000, janë vrarë gazetarë, veprimtarë, ish-ushtarë të UÇK-së, opozitarë politikë – njerëz që nuk i vrau armiku, por dora shqiptare. Ky është turpi ynë më i madh, por për të po flitet gjithnjë e më pak. Për këto krime, disa ish-figura të larta të UÇK-së sot janë në Hagë.

Në vend që të kërkojmë zbardhjen e të vërtetës dhe drejtësi për viktimat, po shohim një fushatë të turpshme për t’i paraqitur si engjëj. Ky është abuzim me historinë dhe fyerje për familjet që presin drejtësi prej dy dekadash.

Lufta për liri ishte e pastër. Krimet e pasluftës nuk kanë asgjë të përbashkët me të. Ata që vranë shqiptarë për pushtet, për para, apo për të zhdukur kundërshtarët, nuk janë heronj – janë kriminelë që përdorën flamurin për të mbuluar duart me gjak.

Të akuzuarit në Hagë meritojnë dënim nëse provohet fajësia e tyre. Kjo nuk e dëmton imazhin e luftës, përkundrazi – e çliron atë nga njollat e atyre që e përdhosën. Harresa e vrasjeve të pasluftës është bashkëfajësi. Heshtja jonë sot është amnistia morale e kriminelëve. Brezi që vjen do të na gjykojë jo vetëm për krimet që ndodhën, por edhe për heshtjen që mbajtëm. Dhe historia nuk fal as tradhtinë e armikut, as tradhtinë e brendshme. Kosova dhe historia e saj nuk guxojnë të mbesin peng i disa njerëzve, ajo i përket popullit dhe kurrë populli nuk gjykohet, aq më tepër një komb që kërkonte liri ndër shekuj.