Shkruan: Arbër Jashari, gazeta Express
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Izmi Zeka për Gazetën Express tha se janë duke e pritur Zyrën e BE-së për të bërë hapjen solemne e pikëkalimit kufitar Stançiq-Bellanoc dhe se akoma nuk kanë datë të caktuar se kur do të ndodhë kjo. Zeka tha se Zyra e BE-së në Kosovë u kanë kërkuar që të presin edhe për pak kohë. Ai tha po ashtu se Kosova dhe Maqedonia e Veriut tashmë janë të gatshme që të fillojnë punën në pikë e re kufitare mes dy shteteve.
Hapja e pikëkalimit kufitar Stançiq-Bellanoc ishte paralajmëruar se do të bëhet në janar të këtij viti mirëpo kjo është shtyer vazhdimisht përgjatë 2019-s.
Në fund të nëntorit nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se hapja e pikëkalimit të përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të bëhet nga mesi i muajit dhjetor gjë që nuk ndodhi.
Zëvendësministri i MPB-së, Izmi Zeka tha për Express janë duke pritur nga Zyra e BE-së një datë të caktuar për të bërë hapjen zyrtare të pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne jemi në konsultim me Zyrën e BE-së në Kosovë, dhe jemi duke pritur se kur janë ata të gatshëm që të koordinojmë punën e agjendës për hapjen zyrtare”, tha ai.
Ai tutje shtoi se nga Zyra e BE-së u kanë kërkuar edhe pak kohë për të bërë hapjen zyrtare pasi që disa nga zyrtarët e kësaj zyre nuk gjenden në Kosovë.
“Zyra e BE-së në bazë të bisedave që kemi pasur kanë kërkuar që të presim edhe pak kohë pasi disa nga zyrtarët e tyre nuk janë në Kosovë dhe kjo është informata që kam sa i përket kërkesës së tyre për të pritur edhe pak”, u shpreh zëvendësministri.
Ai u shpreh se MPB-ja janë në komunikim me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe se ”në momentin e parë që ata na njoftojnë ne do të bëjmë edhe hapjen e pikës kufitare dhe prerjen e shiritit”.
Zeka tha se të gjitha punët janë kryer si nga ana kosovare edhe nga ajo maqedonase.
“Të dy shtetet i kanë kryer punët dhe janë të gatshme që të fillojnë punën, edhe Policia kufitare e Kosovës janë të caktuar”, u shpreh ai.
Zeka tha se edhe kyçja në internet në pikëkalimin kufitar pritet të përfundojë sot ose nesër.
“Çështja e mungesës së internetit ka përfunduar dhe është kontraktuar për të përfunduar edhe ajo punë sot ose nesër”, tha ai.
Zëvendësministri u shpreh se “Pika kufitare është me standarde evropiane”.
Ndërkaq, Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se “arsyeja e mos hapjes së pikëkalimit kufitar është se punë kryesi i kontraktuar nga zyra e BE-së ende nuk i ka përfunduar të gjitha punët e paraparë me kontratë”.
Po ashtu nga Ministria e Punëve të Brendshme për Gazetën Express kishin deklaruar se në gjashtë muajt e parë do të lejohen për qarkullim vetëm njerëzit dhe veturat.
“Në këtë pikëkalim kufitar në gjashtë muajt e parë nuk do të ketë aspekte komerciale do të thotë nuk do të kalojnë tonazhet e larta me mallra, por vetëm njerëzit dhe veturat kurse pas gjashtë muajve do të kenë të drejtë të gjitha llojet e automjeteve edhe për aspekte komerciale të shfrytëzojnë këtë pikë kalim kufitar”, thuhej në përgjigjen e MPB-së./GazetaExpress/