Shkruan: Enver Bytyçi
Kam dëgjuar se organizatorët, pra FSHF, kanë thënë se FIFA dhe UEFA e kanë konsideruar atë këngë si “provokuese”! Në fakt është pikërisht FSHF ajo që me urdhër të kryeministrit ose porosit një letër qortuese për ta përdor si justifikim. Ose nuk ka asgjë nga kjo që thonë ata dhe e përdorin FIFA-n e EUFA-n si justifikim për largimin e kësaj kënge nga goja e mbështetësve të futbollit shqiptar.
Eshtë e sigurt se kryeministrit Rama nuk i ka pëlqyer spektakli me këngën “Mora fjalë” në stadiumet e Shqipërisë. Thonë se atij ia ka tërheq vërejtjen Aleksandër Vuçiq. Por as këtë nuk e besoj. Eshtë vetë Rama ai që di të klasifikojë se çfarë është e lejueshmne e çfarë jo në marrëdhëniet me Serbinë. Kënga “Mora fjalë” për Vuçiq e për Ramën i kushtohet “terroristit” që mbrojti pragun e shtëpisë së vet, Adem Jashari. Menjëherë pas lansimit të këngës në Arenën e Tiranës presidenti i Serbisë mori qëndrim, jo duke përmendur këtë fakt, por duke akuzuar Adem Jasharin për “terrorizëm”! Madje duke e krahasuar Banjskën me qëndresën e Jasharëve.
Pas këtij specifikimi kënga u ndalua. Ajo nuk intonohet më në ndeshjet kombëtare e as ndërkombëtare ose në manifestime të tjera. Dhe e gjitha kjo të kujton kohën kur u vendos diktatura në Shqipëri (1944-1948) dhe për hatër të Titos u ndalua vepra dhe emri i poetit, shkrimtarit dhe kandidatit për Nobelin e letërsisë, At Gjergj Fishta! Identik historia po përsëritet në formën e saj të përshtatshme për kohën e sotme. Por personazhet janë gjenetikisht, biologjikisht e ideologjikisht të lidhur midis tyre!