Pse nuk duhet të votohet Valbon Limani?

Shkruan: Orhan Ibrahimi

Sepse është nën kthetrat e Arben Taravarit, vis-a-vis nën kthetrat e Ali Ahmetit.

Por pse duhej të votohej A. Taravari në vitin 2024?

Sepse ishte “kundër Ali Ahmetit”, së paku deklarativisht.

Për 25 vite, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund të thuhet se janë rreshtuar dhe kanë ndërtuar e përkrahur, dhe kanë kundërshtuar dy rrugë politiko-filozofike:

1.Rruga e Arbën Xhaferit
2.Rruga e Ali Ahmetit

Sipas meje, këto dy rrugë janë të njohura prej shekujsh për ne shqiptarët dhe janë përplasur historikisht.

Rruga e A. Xhaferit është sinonim i rezistencës kombëtare, mosdorëzimit dhe mbrojtjes së dinjitetit dhe ndërgjegjes nacionale. Rrugë e mbrojtjes së familjes shqiptare.

Rrugë që simbolizon njerëzi, solidaritet, njohje dhe përulje ndaj mundit, përkushtimit dhe besnikërisë ndaj idesë për liri, barazi, demokraci, drejtësi dhe mirëqenie.

Rruga e A. Ahmetit është sinonim i shitjes së interesit kombëtar për interesa individuale, duke shkelur mbi amanetet e heronjve dhe dëshmorëve.
Kjo rrugë kultivoi dhe zbatoi, me dije apo pa vetëdije, të gjitha projeksionet dhe elaboratet ruso-serbe.

Rrugë që riktheu përçarjen dhe vëllavrasjen, që mbështeti forcat më retrograde, vodhi, reketoi dhe futi si model se si i riu shqiptar duhet të jetë: ligush dhe hajn, i korruptueshëm, servil dhe pa bosht kurrizor.

Rrugë që burgosi, ndoqi, vrau në pabesi dhe prita djemtë më të mirë të kombit dhe për disa montoi gjyqe etniko-politike, për ta gjetur edhe vdekjen pas grilave.

Rrugë që e pushkatoi idealin për liri!

Rrugë që zbatoi gjenocid modern, për dy dekada ndoqi drejt perëndimit mbi treqind mijë shqiptarë nga trojet stërgjyshore.

E tani, pas 25 vitesh, kur gjithçka është e njohur, e zbërthyer dhe e paguar shtrenjtë me jetën tonë, të kalosh nga Rruga e A. Xhaferit te ajo e A. Ahmetit na qenka më se normale dhe, edhe më keq, të na shitet si vizion i së ardhmes!?

Prapë sipas meje, gjithkush që kalon dhe e këmben Rrugën e A. Xhaferit me atë të A. Ahmetit nuk duhet të mbështetet dhe as në ëndërr të votohet.

Diçka e thjeshtë, e qartë dhe shumë e lehtë për t’u kuptuar.