Pse lufton Amerika me Rusinë?!

Nga Ben Blushi

Bota është përgatitur prej gati një shekulli për një luftë të mundshme mes Amerikës dhe Rusisë.

Më parë, Amerika dhe Rusia nuk kishin qenë njëkohësisht si kundërshtare në të njëjtin territor siç po ndodh sot në Ukrainë.

Në çdo kuptim, diplomatik, ushtarak, ekonomik, të inteligjencës dhe informacionit, kjo është pothuajse një përplasje Amerikë Rusi.

E para në llojin e vet.

Për 70 vjet, Amerika e mbajti paktin me Rusinë. Sidomos në Evropë.

Megjithëse la gjysmën e Evropës, përfshi gjysmën e Gjermanisë edhe ne, të sovjetizoheshim, Amerika nuk ndërhyri.

U soll nëpër botë dhe gjeti vende të tjera për të treguar madhështinë e vet.

Në 1945 shkoi në Japoni me një bombë atomike, nga e cila u masakruan më shumë se 250 mijë japonezë. Kjo është bomba e parë nukleare e përdorur në histori. Amerika e përdori jo vetëm për ti dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, por edhe për ti demonstruar superfuqisë tjetër, Bashikimit Sovjetik forcën e vet.

Japonia u bë një poligon ushtarak, njëlloj si Ukraina sot.

Në 1965, Amerika shkoi në Vietnam me zjarr dhe napalm për të penguar këtë vend të bëhej komunist, pra të mos binte nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik dhe Kinës. Përveç 60 mijë ushtarëve amerikanë qe vdiqën aty për një kauzë të kotë, edhe 2 milionë vietnamezë u zhdukën dhe u masakruan.

Disa vite më vonë, në 1979 Rusia bëri të njëjtën gjë.

Shkoi në Afganistan për të caktuar aty një qeveri komuniste.

Çmimi i luftës ishte 15 mijë ushtarë rusë të vrarë dhe afro 2 milionë afganë.

Megjithëse historia i njeh të dyja ndërhyrjet ushtarake, si të Amerikës në Vietnam dhe të Rusisë në Afganistan, si dështime, asnjëra nuk u ndal këtu.

Më vonë Amerika shkoi vetë në Afganistan ku, pasi la edhe aty disa qindra mijë të vrarë të tjerë, iku në mënyrë të shëmtuar në gusht të vitit të shkuar, duke dështuar të vendosë një rregjim demokratik dhe properëndimor.

Populli u bë me talebanët edhe për inat të pushtimit amerikan atje.

Më pas shkoi në Irak duke e kthyer një vend normal, jo demokratik por të stabilizuar, në një kasaphanë ku vdiqën më shumë se 500 mijë njerëz nga të cilët 4000 ushtarë amerikanë dhe 1200 fëmijë irakenë.

Çudia është se ndërkohë që të gjitha pushtimet e Amerikës dhe Rusisë kanë qenë thuajse dështime, ato sërish vazhdojnë të pushtojnë.

Sot Rusia po masakron Ukrainën për të njëjtën arsye si Amerika, Vietnamin dhe Bashkimi Sovjetik Afganistanin.

Që ky vend mos kalojë nën ndikimin e superuqisë tjetër, por të mbetet një satelit i saj.

A ka të drejtë në raport me Ukrainën. Jo.

A ka të drejtë në raport me pushtimin e Vietnamit dhe Afganistanit nga superfuqia tjetër?

Rusia mendon se po.

Pra çështja është se superfuqitë nuk pushtojnë detyrimisht se duan apo se ju nevojitet, por sepse pushton superfuqia tjetër, diku tjetër, në një kohë tjetër.

Pyetja është pse pushtojnë superfuqitë kur e dinë se mund te dështojnë siç kanë dështuar?

Amerika dhe Rusia, njëlloj si Franca, Anglia apo Gjermania i përkasin një civilizimi.

Civilizimet e botës së sotme janë tetë.

Perëndimor, Kinez, Japonez, Islamik, Indian, Afrikan, Latin dhe Sllavoortodoks.

Në fakt kulturalisht, fetarisht, biologjikisht dhe antropollogjikisht Perendimi dhe Rusia janë pothuajse një civilizim. Civilizimi i bardhë i Veriut ku hyn Evropa, Amerika, Kanadaja, Australia dhe Rusia, me rrënjë në civilizmin greko romak. Evropa fillon në Portugali dhe mbaron në Rusi në malet Urale dhe në çdo kuptim Rusia është vetë Evropë dhe i përket këtij civilizimi.

Por megjithëse janë kaq të ngjashëm dhe pothuajse binjake, megjithëse jane kaq të zhvilluar dhe kontrollojnë shumicën e ekonomisë së botës, shumicën e naftës dhe gazit, shumicën e parave, arit dhe bankave, megjithëse kanë prodhur shumicën e artit dhe dijeve të njerëzimit, megjithëse kanë krijuar demokracinë, pra kontrollin e qeverive nga popujt që i zgjedhin, megjithëse janë të vetmit që kanë eksploruar botën dhe kanë shkuar në Univers, sërish popujt e këtij civilizimi, civilizimit tone, vrasin më shumë se gjithë civilizimet e tjera bashkarisht.

Civilizimi ynë vazhdon të vrasë çdo ditë në Ukrainë.

Ai vret pa pushim dhe vetëm në një gjë nuk dështon dhe nuk ndalet.

Në vrasje masive.

Sot qe flasim nuk luftohet as në Azi as në Afrikë as në Amerikë Latine,as në Arabi. Nderkohë që ne, në Evrope, në qendër të civilizimit të epërm verior vazhdojmë ti hapim plagë njëri tjetrit, civilizimet e tjera me shumë popuj të varfër anembanë botës, përpiqen të ngrihen pas pushtimeve koloniale të tmerrshme që superfuqitë e Perendimit, pra civilizimi ynë, u kanë bërë atyre për shekuj.

Nëse bëjmë një bilanc të të gjitha vrasjeve që kanë shkaktuar pushtimet, luftërat fetare, ushtarake dhe kolonizimet e Perëndimit nëpër botë, nga India në Japoni në Afrikë, nga Iraku në Ukrainë, viktimat janë më shumë se 400 milion njerëz.

E matur me kohën kur janë bërë këto vrasje dhe kur bota ishte më e vogël, pra afro, 2 miliardë njerëz deri në vitin 1940, këta të vrarë përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë së botës.

Në Luftërat e Perëndimit kundër Kinës të quajtura Luftërat e Opiumit u vranë mbi 50 mijë kinezë. Gjate kolonializimit të Afrikës janë vrarë më shumë se 10 milionë afrikanë. Në dy Luftërat botërore më shumë se 80 milionë. Në Hiroshima u zhdukën 250 mijë. Në Vietnam më shumë se 2 milionë. Në Afganistanin rus më shumë se 2 milionë. Në Afganistanin amerikan 200 mijë. Në Jugosllavi 140 mijë. Ukraina akoma nuk është në këtë llogari.

Pyetja është pse vrasim kaq shumë?

Çfarë duan më shumë Amerika me Rusinë që po përplasen me njëra tjetrën në Ukrainë? Ato kanë gjithshka, territore, popull, pyje, naftë, gaz, minerale, ato shkojnë në Hënë, kanë monedhat e forta, kanë flotat, florat dhe faunat më të bollshme, kanë nën kontroll shumicën e deteve dhe ujëdhesave si dhe burime njerëzore të pamatshme.

Ndoshta pas 100 viteve nuk do kemi më superfuqi, sepse lufta dhe konkurrenca do ti kenë zhdukur ose ndoshta do kemi vetëm nje superfuqi që dominon gjithë botën.

Një superfuqi që luan vetëm. Pa kundërshtarë.

Sa e tmerrshme.

Por ndoshta më mirë kështu. Apo ndoshta më mirë pa superfuqi.

Ky është një përfundim që unë nuk do ta uroja, për sa kohë që jetoj në një vend të vogël, që vazhdimisht ka qenë, ose i pushtuar, ose i dominuar nga njëra prej superfuqive të kohës.

Në dy mijë vjet histori ne kemi kaluar nga romakët tek turqit, italianët, gjermanët, rusët, kinezët dhe amerikanët.

Kështu ka qenë dhe kështu vazhdon dhe ndoshta kështu do të jetë.

Ajo që do uroja, por që duket e pamundur, do ishte një botë me superfuqi paqësore.

Superfuqi që nuk vrasin.

E pamundur apo jo?