Pse fitoi Vetëvendosja (LVV)?

Prof.Hysamedin Feraj

(pak reflektim)
Themelore është epërsia intelektuale e LVV!
LVV njeh filozofikisht atë që gjenialiteti i popullit njeh intuitivisht:
– LVV kupton se shteti nuk e ndan me asnjë tjetër sovranitetin e vet, sundimin e ligjit të vet. Njeh pra konceptin modern të shtetit, i ndryshëm nga shteti mesjetar kur princat, dukët, kisha, rivalizonin sovranitetin e mbretit.
Për “intelektin” e opozitës mund të ekzistojnë dy sovranë brenda një shteti! Ky “intelekt” manifestohet në pranimin prej saj të institucioneve që veprojnë sipas ligjeve të Serbisë sovrane brenda Kosovës sovrane.
– LVV njeh hierarkinë e vlerave: kupton se në krye të vlerave tani qëndron shtetimi i Kosovës.
Opozita vendos në krye të vlerave çmimet e mallrave të konsumit. Deri në konsumimin e vetë shtetit: le ta konsumojmë (ta hamë) territorin dhe sovranitetin që të kemi më shumë para, të konsumojmë më shumë, të jetojmë më të pasur.
– LVV kupton përparësinë e gjërave: kupton se shtetimi duhet të prijë para pasurimit privat, si kusht i krijimit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të kësaj pasurie.
Për “intelektin” e opozitës pasurimi privat prin para shtetimit. Ndoshta sipas sloganit të e përgënjeshtruar nga përvoja njerëzore dhe e jona, se “shteti është i fortë kur individi është i fortë”!
LVV njeh se individi i fortë, sado që me kulla si fortesa e me pajisje si resorte luksoze turizmi, nuk mund të mbrohet privatisht kur i vjen te pragu i derës ushtria e rregullt e shtetit të huaj agresor. Njeh se pasuria private mbrohet në kufi të shtetit, jo te pragu i derës.
– LVV njeh se shtetimi i Kosovës ende është në fazën kur vlen thirrja e Kenedit: “mos pyet çka mund të bëj vendi për ty, por çka mund të bësh ti për vendin tënd!”.
Për intelektin e opozitës, ende pa u përmbyllur shtetimi, duhet përmbysur inteligjenca e Kenedit dhe të pyes: “çka mund të bëj vendi im për mua, jo çka mund të bëj unë për vendin tim!”
– Sado cinikë, në terma ekonomikë:
LVV njeh se çdo gjë ka çmim, dhe njeh se çmimi më i lartë, i paguar tashmë nga populli me jetën e bijave dhe bijve të tij, është shtetimi i Kosovës.
Për “intelektin” e opozitës çmimi i shtetimit të Kosovës duhet të jetë më i ulët se i mallrave të konsumit.
LVV di se është e padrejtë që malli i paguar nga dëshmorët të mos merret nga pasardhësit e mbetur gjallë.
Për “intelektin” e opozitës është e drejtë që pasardhësit të mos marrin mallin i paguar me jetë nga dëshmorët, por një mall tjetër i paporositur prej tyre.
– Njohja konceptuale e LVV përputhej me njohjen intuitive popullore: LVV i dha gjuhën dhe frazën kësaj njohjeje intuitive dhe, anasjelltas, intuita popullore gjeti gjuhën dhe frazën e vet te LVV. Këtë harmonizimit të aftësive të ndryshme njohëse opozita e emërtoi “populizëm”, pa menduar se populli qëndron në themel të demokracisë (demos-kratos) dhe në modernen është sovrani.
Njohja oreksore e opozitës nuk harmonizohej me njohjen intutive të popullit, ndaj zgjodhi ta stilizojë veten si “elitizëm”. Me pikënisje se populli nuk di dhe nuk vendos kush qeverisë, pretendoi misionin ta mësoj popullin çka dhe kë duhet të dojë, ose thënë në greqishten e vjetër, të bëhej demagoge (nga “demos” = popull dhe “agogos” = kujdestar, mësues, udhëheqës). Pretendimi me qenë elitë veç me oreks pa intelekt, përfundoi si ilustrim i përrallës për bretkosën që deshi të fryhej sa një ka, ose të borgjezit që donte të paraqitej si fisnik pa qenë, pra si snobe (“sans nobilitie” – pa fisnikëri).
– LVV bashkoi për herë të parë nacionalizmin, që në traditën shqiptare shoqërohej me të djathtën, me politikat e majta socio-ekonomike. Sipas parimit të parë, LVV bashkoi me Kosovën pjesën e saj gati të ndarë ose për t’u ndarë, sipas parimit të dytë bëri reforma financiare për mbështetjen e të gjitha shtresave sociale.
Opozita me origjinë të majtë e pretendoi veten të djathtë duke braktisur nacionalizmin dhe duke i kundërvënë atij orekset socio-ekonomikë, sipas traditës së të majtës shqiptare. Sipas parimit të saj të parë, e djathtë për vete, sipas të dytit, e majtë për kombëtaren.
Shkurt:
LVV vazhdoi kauzën e ngritjes së shtetimit të Kosovës, opozita bëri kauzë uljen e çmimit… të vezëve! LVV ruajti kauzë sovranizmin, opozita bëri kauzë konsumerizmin e vet. LVV vazhdoi si kauzë idealin shekullor, opozita oreksin primal. LVV qëndroi në mendim politik, opozita në mendim “civil” antipolitik.