Pse e urrejmë Donikën?

Rreshti problematik i cili u bë shkas i reagimeve të shumta ishte parafrazimi i gazetarit gjerman Andreas Reich në gazetën Neue Züricher Zeitung (NZZ) të datës 01.06.2021 kur ky i fundit parafrazohet që z. Gërvalla- Schwarz të ketë thënë se „kërkon që shumë vrasje të pasluftës në vend (duhet) të zbardhen. Pas tërheqjes së trupave serbe, ato u kryen kryesisht nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Shqiptare të Kosovës (UÇK). Për këtë shkas disa ish-komandantë janë në paraburgim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.“

S´pari nuk dihet nëse gazetari gjerman e ka parafrazuar saktë z. Gërvalla-Schwarz, nëse ajo vërtetë e ka thënë këtë, sepse parafrazimi nuk është autentik, siç është një citat dhe këtë ne gazetarët më se miri e dijmë. Gjithashtu, pavarësisht nëse e ka thënë apo jo, kjo tezë kuptohet nga konteksti. Na kujtohet kur edhe publicisti Veton Surroi menjëherë pas përfundimit të luftës akuzonte shqiptarë në Kosovë për “fashizëm”, e cila kuptohej si balancim për disa krime sporadike të cilat ishin kishin kryer ndaj popullatës civile serbe, menjëherë pas luftës, sepse shumë shqiptarë u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe dhe hakmarrja në disa raste ishte vetëm individuale, e pasuar nga traumat e luftës.

Edhe akuzat e ngritura në Gjykatën Speciale flasin për këtë akuzë, për të ashtuquajturën „ndërmarrje kriminale“ të krerëve të UÇK-së „kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Kjo aktakuzë, prej 68 faqesh, siç raporton Evropa e Lirë, e cila ishte konfirmuar më 26 tetor 2020, përmban aktakuzën kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. „Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.“

Evropa e Lirë shkruan tutje: “Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Aktakuza akoma nuk është dëshmuar se të akuzuarit i kanë kryerë këto krime të dyshuara, prandaj nuk duhet ngutur me citime.As Donika nuk po e akuzon UÇK-në, as nuk ka faj pse akuza e Gjykatës Speciale po merret gjithashtu me vrasjet politike të cilat kanë ndodhur dhe shumë udhëheqës të UÇK-së janë vrarë, për të cilët nuk dihet se kush i urdhëroi dhe kush i kreu ato, siç janë rasti i Komandant Drini, i kolonel Ahmet Krasniqit dhe ai i z. Tahir Zemajt. Shto këtu edhe vrasjen e Xhemail Mustafës, dhe Enver Malokut, e shumë të tjerëve të cilët nuk ishin pjesë e formacioneve ushtarake guerile.

Pavarësisht se a ka qenë i saktë parafrazimi i gazetarit gjerman ndaj deklaratave të z. Gërvalla- Schwarz, tanimë botërisht dihet në parim, se edhe gazetari mund të jetë bazuar në atakuzë që është duke u vërtetuar në Gjykatën Speciale në Hagë lidhur me krimet e dyshuara. Është e mundshme që gazetari e ka shtuar këtë pohim edhe duke u bazuar në aktakuzën në fjalë të ngritur nga Dhomat e Specializuara.

Gazetarët, jo vetëm ata gjermanë, por si gjithkund në botë i bëjnë gjithmonë shkrimet me tema ekskluzive dhe përpiqen që artikujt e tyre të përmbajnë sa më shumë fakte të reja, tema kontraverse, paradokse dhe konfrontuese, sepse kjo në një mënyrë edhe nxitë lexuesin dhe e bën atraktive shitjen e gazetës, e rritë popullaritetin e një artikulli.

Reagimi në deklaratën e z. Gërvalla -Schwarz vjen edhe si pasojë e vendimit të MPJ-së për t´i shkarkuar ambasadorët e emëruar politik, të cilët ishin përkrahës të partive që tani janë në opozitë.

Dyshimi tjetër i radhës është reagimi nga qarqe serbo-ruse kundër deklarimit të z. Gërvalla- Schwarz lidhur me padinë për gjenocid ndaj Serbisë, për krimet e kryera gjatë luftës 1998/99.

Gazetari në fjalë raporton se „Qeveria e re në Prishtinë ka njoftuar tashmë se ka ndërmend të padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ). Sidoqoftë, vendi nuk është një shtet palë në GJND. Madje nuk mund të ngrejë padi (si shtet pa qenë anëtarë i OKB-së)? Z. Gërvalla- Schwarz i shmanget (kësaj dileme). Procedura nuk është përcaktuar ende. Do të duhet pak kohë për të arritur këtë. “Por ne do ta përgatisim procesin gjyqësor në një mënyrë të tillë që të mos dështojmë, por të arrijmë që ata që janë përgjegjës për gjenocidin të identifikohen qartë.”

Dhe së fundi ata që e kundërshtojnë z. Gërvalla-Schwarz janë përkrahësitë e diskursit të “Gërrnaqave” të cilët nuk e duan Diasporën, as personalitet si Donika. E urrejmë Donikën se ajo është bija e heroit Jusuf Gërvalla, ideatorit të pavarësisë se Kosovës. E urrejmë se është juriste e diplomuar në Gjermani e cila gjerat i thotë ashtu siç i mendon që të arrijë tek e vërteta e përgjithshme e cila do i shërbente interesit të përgjithshëm, sipas motos: Me shumë duhet ta duam ligjin se sa Maliqin!

E urrejmë Donikën, sepse ajo po kërkon motivimin e Diasporës që kjo diasporë pjesë e së cilës ishte dhe shumë prej nesh jemi, të kthehen në Kosovë, të bëhen pjesë e ndryshimeve dhe të investimeve në Kosovë, në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Prandaj e kemi halë në sy edhe këtë rrjesht:

„Në të ardhmen, Kosova duhet të përfitojë jo vetëm nga transferimet e parave, por edhe nga njohuritë e kosovarëve të trajnuar mirë jashtë vendit, për shembull duke marrë funksione në institucionet shtetërore ose duke ardhur në vend si investitorë.

Ndoshta naivët nuk kanë faj. Sepse një Donikë po u shkakton shumë probleme. Paramendo sikur të inkuadroheshin edhe Donika të tjera, çfarë do bëhej?

Përfund, duhet thënë; ashtu siç nuk kishim gatishmëri t´i dënojmë krimet e luftës dhe kriminelët e të gjitha etnive dhe llojeve, na u imponua ose ishim të detyruar pastaj ta themelojmë Gjykatën Speciale me seli në Hagë sepse nuk ishim në gjendje t´i sigurojmë dëshmitë dhe dëshmitarët nga peshqit e mdhenj. Ashtu edhe tani duhet njëherë e mirë edhe në fushën e diskursit të ketë pozicionim të qartë kundër të keqes, kundër padrejtësive të të gjitha llojeve. Një lloj- denacifikimi gjithsesi i duhet edhe oponinit publik por edhe i klasës politike nga paslufta e deri në ditët e sotshme, në mënyrë që të kthjellohen gjërat dhe të thuhen ato me emër dhe mbiemër, në emër të një kategorie imperative më të lartë, për të drejtat njerëzore etike dhe morale…për një nostrifikim të së kaluarës.