Nga Lekë Tasi
Zëra për skandale në krye të BE-së kanë qenë përhapur dekada më herët por procesi përkeqësues mori mjaft kohë për t’u bërë plaga e re që iu ngjit gjëmës së L2B. Infeksioni punonte në thellësi dhe nuk e ndali dot as zemërimi i pasluftës, që solli në krye të shteteve humbëse personalitete si Adenauer e De Gasperi. Kjo tregon se një konflagracion i madhësive unike si L2B nuk ndodh as për shkaqe të përfytyrueshme, as mund të përballen pasojat e tij me teknika o filozofi të kaluara. Janë të tjerë faktorë, të panjohur, që hyjnë në gurgulenë e gatuar për shpërthim, prandaj kërkohet një hetim më i imtë në përbërjen e motiveve dhe humoreve të politikanëve që marrin detyrën mbas saj. Në vështirësitë e pasluftës, kërkesa e masave ishte për qeveritarë të besueshëm, prandaj votoi të mësipërmit. Ndryshe nga entuziazmi që më 1922 dhe 1933 ua kishte dhënë votën aventurierëve, jo me zor, por me dëshirë!
Sa kohë do vlente kjo pjekuri? Fjala pjekuri shoqërohet me moshën e vjetër dhe përvojën. Por a është ky një kriter përherë i vlefshëm kur dihet se në Gjermani marshallët e moshuar dhe me kredi në popull si Hindenburg, patën mundësitë ta frenonin çmendurinë dhe nuk arritën dot? Kontrolli i së ardhmes ngjan si diçka fatale. Mos duhej ngushtuar ose mbajtur nën kontroll demokracia? Do të dukej nisje e një diktature. Nuk ka normë që vlen kur kombinohen disa pakënaqësi të ligjshme me emocione të skajshme, ndaj duhen kërkuar kur dhe si vijnë ato, për të vepruar me vendosmëri e maturi ndaj tyre. Hitleri dhe Musolini u kishin arnuar emra të djathta partive të tyre, i pari duke e shndërruar socializmin e tij fillestar në nacionalist (NA-ZI) dhe i dyti, duke mbajtur mbretin dhe kartelet e mëdha. Por të dy nuk iu përmbajtën asnjë norme, e djathtë e majtë, asnjë historie o precedenti, duke zhdukur çdo ligj e normë, përveç atyre që u interesonin reciprokisht kontraktuesve (Krup etj.), që të përfitonin nga ferri që ngritën së bashku.
Kombinuan tipare të kapitalizmit me ato të socializmit në një model që funksiononte tërësisht në shkelje të ligjit (FIAT e Agnellit po del sot kampion i këtij biznesi të turpshëm dhe është zhbërë jashtë Italisë). Ky administrim kriminoz çnjerëzor u përdor dhe në Bashkimin Sovjetik, me tipare vendëse, si një pranim nga i tërë rreshtimi ateist se larg dhe kundër Zotit, s’ka vend veçse për dhunën, të fshehur ose të hapur, dhe me fund disfatën vetëvrasëse. Këto implikime i shohim sot të përhapura sepse rreshtimi i kundërt, ai idealist e besimtar, po ngjallet siç pritej, me zëra të fuqishëm si në çdo moment kritik fundor të cikleve historike mes dy poleve. Në periudhën mes dy luftërave 1920-1940 u ngrit shumë toni i pakënaqësisë sociale dhe patriotike, mjaft të përligjura te qytetarët e thjeshtë, por kur u shfaq terrori i këmishave të zeza o gri dhe thyerja e vitrinave të judenjve, duhet të kishte ngritur në këmbë shoqërinë. Nuk ndodhi. Ky shndërrim i kollajtë i demokracisë në totalitarizëm kriminal, nxjerr në pah brishtësinë e politikës në një moment historik të habitshëm (sh XX) që dallon për realizimet e mëdha teknologjiko-qytetëruese të tij.
Pra, përmes kësaj kontradikte bërtitëse, u rrëzua vertikalisht ajo që quhet Progres ose Filozofi Progresiste dhe kjo u jep të drejtë atyre që thonë se njeriu është i paaftë të nxjerrë mësime afatgjata nga përjetimet e tij. Këta janë shtuar se e kanë pësuar në lëkurë atë gjëmë. Njeriu bëhet bishë në thellësinë e tij, mjaft që t’i krijohen disa kushte. Dhe dekadenca e politikës nuk vërtetohet vetëm ndër ato rrethana shtrënguese që u stisën në nazizëm dhe komunizëm, por mbetet në rënie edhe në rrethana shumë më të lehta, provë është fakti që i kamuri i sotëm, ateist në shumicë, duron pasoja të rënda e të padurueshme, kur ato bien mbi të tjerë… Indiferenca ndaj tjetrit, është një trajtë egërsie sot me të njëjtat manifestime tek viktimat posi të mesit shekullit XX, por sa më larg vetes… Edhe mirëqenia e shoqëruar me rivendikime të llastuari, është indiferencë, pra egërsi, edhe të marrunit me hiçe në emrin e lirisë së njeriut po ashtu. Por ajo kulminon me votimin e politikanëve që marrin përsipër kauza të padrejta me ndërgjegje dukshëm të rrema. Kjo psikologji dominon sot Evropën dhe s’ka nevojë t’i përshkruhet ose t’i argumentohet origjina; mjafton jehona ose poterja që na vijnë q’andej me debatet e shumta.
Katastrofat sjellin përherë një mësim lloji të ri dhe kjo çështje duhet analizuar mbi çdo temë tjetër. Po s’qe solidar, je vetiu jo human. A është e natyrës politike, (dmth. perspektive) mësimi që nxjerrin masat në përjetimet dramatike e tragjike, apo është e natyrës thjesht emotive? Dmth., më fort egocentrike? Popujt, ose më mirë breznitë, edukohen nga vuajtja emocionalisht, gjë që bën shumicën të përziejë politikën me jetën e përditshme dhe të vlerësojë fytyrat që dalin në foltore o në ekran, sipas një kriteri subjektiv shpesh sipas saj, dmth., larg realitetit. Kështu s’duhet habitur me pasojat negative të vendimeve që merren qoftë edhe në sistemet demokratike, me përkrahje të atyre fytyrave në mitingje e votime që nesër do të urrehen. Por prapë, do mbeteshim në të përgjithshmen, nëse nuk konsiderojmë edhe llojin e ideve o detajeve që secila fazë historike përhap rrotull nesh.
Është folur pak për defektet e parlamentarizmit, për nevojën e zgjedhësve të dytë, për faktin që zgjedhësit i marrin alternativat nga të ngjashmit e tyre në lagje o në farefis, nga formimi në shkollë, “i holluar” dhe vendosmërisht i metë sot në raport me të kaluarën kur mësohej së paku morali, sado thjesht. Vetëm tash së fundi po del në ekrane përgjigja e duhur rrëmujës infektuese, nga goja e njërit prej historianëve më brilantë, Profesori Alessandro Barbero dhe të bazuar në tërë burimet arkivore (të ndaluara deri dje) e që nxjerrin në shesh një tablo të përmbysur të asaj që na jepte kultura konformiste prej shekujsh dhe ajo ateiste prej dekadash. Ndikimi i faktorit kulturor kësisoj i polarizuar mes versionesh të manipuluar dhe atyre autentikë bëhet përherë e më ngacmues, më intrigues, se i dëgjojmë online, me paradigma që s’lënë hapësirë për rrugë të mesme.
Materialistët me leksionet e tyre, me përhapje të gjerë edhe në media, të paguara mirë haptazi o fshehtazi, vazhdojnë të bindin sektorë të gjerë të opinionit, rreth së ardhmes sonë dhe papritmas, njëra prej tyre përfundon me konflikte të nxehta ose fërkime e tensione gatitëse të tyre. Rastet bëhen të qarta kur i këqyr nga e pastajmja, se si mërmërimat ilegale dhe tendencioze bëheshin të zëshme, dhe pastaj britma, veç që të përhapet psikoza dhunënxitëse. Sa i duhet besuar atij që t’i thotë troç punët, si Churchilli britanikëve në 1940: “Ju premtoj gjak dhe lot, por do rezistojmë!”, e që mbas vitesh pranon se edhe ka gabuar, dhe se politikani që nga mbështetës i terrorizmit në rini të tij, mbetet lider radikal i gjelbër me pretendime po të atij drejtimi si J.F? Serioziteti që t’i shikosh punët me gjakftohtësi dhe të mbash rezerva ndaj çdo shprese të rreme harrohet shpejt kur mirëqenia e re, si e viteve ‘80 e tëhu, e ardhur dhe e rehatuar mbi një ndërgjegje të ngopur, priret të harrojë vuajtjen.
Ky egoizëm e pa adresë i zë sytë popujve dhe fillojnë të ankohen edhe pa shkak, aq sa të kërkojnë po themi tronditje të rendit me zgjedhje të reja pa mbaruar mandati, e me shpikje problemesh të reja si për sport, krejt ndryshe nga vitet ‘50, kur në atë krizë të pasluftës, mbas pastrimit të gërmadhave e me Planin Marshall në ndihmë, u vendos bashkimi për Energjinë dhe Çelikun dhe nën ndikimin e atyre krerëve besimtarë Adenauer, Schuman, De Gasperi etj., do lidhej edhe miqësia mes ish-ushtarakëve ndërluftues që vizitonin njeri tjetrin si turistë e miq. Tensionet qysh atëherë mes sabotuesve dhe të prirurve për normalitet nuk reshtnin dhe dihet që i ligu siç thotë populli, do të ishte prezent dhe veçanërisht në politikë. Nga ana tjetër Willy Brandt u ndie së brendshmi i shtyrë të nderonte viktimat e barbarisë naziste në Varshavë, e kaluara e tij të bind që besonte në vlerat e jetës, e jo prej konjukturës politike për të kryer një gjest plateal.
Kontrasti i hapur mes sinqeritetit dhe formalizmit do të zgjerohej për fat në shekullin XXI prej 100-fishimit të komunikimit elektronik deri në celular, që sot opinioni të mundë të njohë edhe neverinë që kap vetë fajtorët e mëdhenj (E shoqja e Goebelsit që rrëfen se i krupet vetja aq sa të mos gjejë rrugë tjetër veç zhdukjes me gjithë fëmijë). Kjo hapje e folësve te dëgjuesit, me preferencë të famshmit, madje ata më kriminelët e tyre, vjen si një risi që sjell veljen me çdo propagandë të payndyrë dhe ngre në fokus paradigmat e përjetshme: Juda nuk u dënua për tradhtinë ndaj (të) Zotit (tradhti që kishte dhe një funksion me rëndësi), por sepse nuk gjeti te raporti i tij trevjeçar me Të, diçka që ta çonte te ndjenja dhe pastaj te pendesa: Dëshpërimi i tij dhe ai i Magda Goebels, dhe ndoshta i miliona të tjerëve vjen prej dështimit në rrafshin shoqëror, ata thjesht u ndjenë të përjashtuar, jo të penduar. Pra, nuk do t’u vinte dëshpërimi po të shmangej ajo disfatë dmth., po të mos delte botërisht gabim grupi që u gropos në bunkerin e qendrës së Berlinit: fakti i të mos pasurit ndërgjegje. E dëshmojnë dhjetërat e qindrat që u arratisën dhe mijërat që tentuan, por s’ arritën…
Zgjerimi i sotëm i informacionit 100-fish muajt o javët e fundit, nevojitet të përhapet eksponencialisht edhe në shtresa që rëndom nuk i kap, në mënyrë që qytetarët në tërësi të lidhen me të vërtetat e përjetshme, që ashtu të shtohet paqja kulturale, e cila maturon edhe paqen politike. Mjerisht po ndodh edhe e kundërta! Rreshtimi që ka humbur luftën, qoftë ai ish pro-nazist i 1945, qoftë ai i 1990, që jetoi në luftën e ftohtë, por nuk e përjetoi, reziston me motivet nga më të habitshmet dhe e quan të drejtë të vërë në diskutim kompetencën e fuqisë ekzekutive të bëjë punën e saj! Risi e habitshme në gji të demokracisë: Një grusht eksponentësh të gjyqësorit kanë qejf të shfuqizojë autoritetin shtetnor me anë të grushtit konstitucional të pashpallur, duke u shprehur haptas kompetentë në një fushë që s’u takon për definicion. Shkaqet janë alarmi për sjelljet e veta komprometuese shumëvjeçare? Nxjerr kokën kështu fjala e para 20 vjetëve për abuzime në majë të BE-së.
Nuk ishte gjë episodike as atëherë, as sot, është ajo fryma diktuese që bëhet diktatoriale dhe zapton çdo pretendues pushteti në mjedis demokratik dhe nuk ia përton grushtit për hesap të vet. E përjetshmja fuqi satanike, që mbasi ngriti tërë atë tërbim vrasës mbi urrejtjen racore dhe atë tjetrën mbi urrejtjen klasore, u zatet në grumbuj kolosale hiri në 1945 dhe në 1990, ajo nuk e duron këtë zbythje dhe ritenton revanshin, por me një pamje të re, të dalë si filiz i ri mbi një kategori prindërish e gjyshësh të pamemorie dhe të përshtatur për këtë rol pasiv me anë bisedash të rëndomta. Është vërtet e rrezikshme të humbasë njeriu vizionin tërësor të vetes tij, se ç’është ai mbi Tokë. Nëse zgjedh, ai ta mbajë veten si thjesht më të përparuarën e kafshëve dhe të harrojë variantin se është Krijesa për të cilën është bërë Bota, fati i tij reduktohet shumë. Duhen risjellë në mend çipet në trup, shifra 666 e plot të tjera, që janë profetizuar në Apokalips si shenja të Djallit.
Duhet zgjeruar perimetri trunor i tij qoftë si njohje enciklopedike, sepse do të kuptojë njeriu masiv se ka diçka jashtë zhurmës së përditësisë dhe që rreziqet nuk mbërrijnë befas, por gatiten afër dhe brenda nesh… Inteligjenca artificiale gjithashtu po shikohet nga të dijshmit si e rrezikshme për njeriun, si kërcënim për të zhdukur mundësinë e ruajtjes së kontrollit mbi të. Këto kanë hyrë janë në qarkullim prej vitesh dhe bashkëjetojnë me qeveritarë, ose magjistratë që vënë në pikëpyetje rregulla e ligje që quheshin dikur si gurë themeli të shtetit. Ata duan t’i zëvendësojnë me direktiva, urdhërojnë që t’u zbatohen direktivat, jo vetëm antikushtetuese, por edhe detyruese (del në shesh tash së fundi brenda kësaj vale informacioni të kohëve të fundit, dhuna e ushtruar mbi Jugun e Italisë nga qeveria e 1861 me pasoja të rënda në historinë e mëpasme të këtij shteti me strukturë ish-homogjene Veri-Jug). Pra, kemi në veprim nga njëra anë ngushtimin e lirisë, që me çrregullimet e dala prej praktikave të çala po varfëron Evropën deri në ekonominë shtëpiake dhe nga ana tjetër atë që përbën një rrezik të përgjithësuar, sepse në vend të kontributit që pritej prej saj, si ekonomi 500-milionshe, ajo paraqet një vullnet të përçarë që sillet në rrymat e politikës botnore si një ajsberg në oqean me fuqi përplasëse kolosale, por pa më të voglin vullnet politik unik për ku do të shkojë.
Globalizmi ka mbaruar: ai po zëvendësohet me një qendër në formim e sipër që qysh në nisje deklaron si prioritet vullnetin për paqe dhe ia nënshtron këtij qëllimi vullnetin për bisedime. Gatishmëria për negociata nuk mund të kundërshtohet me pretendime të paarsyeshme (nënkupto imponime jo demokratike ndaj vendesh me demokraci), por mund të ruajë kujdesin për ato të arsyeshmet, mirëkuptim për korrigjime gabimesh të kaluara në territore. Prandaj negociata që do të marrë kohë është platforma kulturo–politike mbi atë thjesht politike. Disa fuqi e kanë të vështirë të rrinë pa e shtrirë jashtë kufijve sistemin e vet, ose të pakicës mbi shumicën brenda kufijve.
Duhet të fuqizohet OKB-ja që t’ua theksojë paligjësinë jo me pambuk si deri sot, por me sanksione ekonomike që ka sjellë mjaft raste vendosjeje të së drejtës (Afrika e Jugut etj.) dhe përhapin të njëjtën dëshirë për paqe. Kështu bëhet i pranueshëm ai tension pa gjakderdhje që shohim kur SHBA orvaten të manovrojnë me tarifat e lëvizshme, vihen hiqen, këtu atje dhe me mbyllje të konflikteve rajonale, si në Azi juglindore ose Kaukaz, po edhe me përpunimin e politikanëve kudo drejt një logjike unike humane, duke lënë mbrapa, por me takt, anakronizmat dhe madhështirat e tepruara të metropoleve të vogla, që gëzojnë prona mbi kontinente si Greonlandia, të cilat s’mund t’i administrojnë. Sa i përket stilit të përdorur në këtë ngjitje të fuqisë amerikane nga Presidenti Trump, duhet kuptuar brenda klimës polemike me kundërshtarët demokratë dhe me mendësinë amerikane fort pak të familjarizuar me problemet e botës. Atij i duhet të shtjerë ca nerv opinionit dhe kjo shpjegon tërë mënyrën teatrale të mitingjeve, si dhe parullën MAGA.
Kurse në krahun e kundërt të planetit, ku tensioni merr trajta sfiduese me anë paradash ushtarake e armësh të orës së fundit, mund të thuash që mbas BRIKS, reduktimi i grupit në Rusi-IndiKinë dhe shtesa e Koresë së Veriut (RIKKV) e forcon karakterin kundërshtues deri në armiqësor të grupimit dhe e kthen atë në aleancë politike dhe personale përveçse ekonomike. Fakti që nga ish-pjesëtarët e BRIKS, mbetet vetëm India, të jep mendimin se shteti më i populluar i planetit e quan të nevojshme të rreshtohet vendosmërisht kundra strategjisë së Trump dhe e gatshme të durojë pasojat. Ajo mund të ketë pasur plot të drejtë të jetë antiperëndimore nga ajo që ka hequr në shekujt e kaluar, por nuk është zemërimi që e shtyn te kjo rrugë. Kultura e saj e lashtë, shkalla e lartë e inteligjencës që e dallon, flasin për një aversion më të thellë ndaj Perëndimit dhe shpjegohet edhe me serinë e vrasjeve që regjistron kokat më të shquara udhëheqëse të saj, me Gandin në krye. Ato kanë qenë lidhje me Perëndimin, që ajo i ka këputur dhe nuk i do as sot. Kështu, skena botnore merr një dritë të re mbi konfliktin që e mban të shqetësuar opinionin botnor. E panjohura tjetër është pretendimi i përbashkët i dy krerëve, Kinë-Rusi, që pushteti personal i pakufizuar në kohë, të jetë kusht i panegociueshëm me palën tjetër. Pra, e nesërmja premton veç rreziqe përderisa sfidat mes dy rreshtimeve arrijnë deri aty vetëm pak javë mbas takimit të Alaskës. Bedelët e Kim Jong Un vriten jo me shaka në Ukrainë dhe nuk është po aq shaka që Rusia të përthithet vullnetarisht në atë projekt mbas një stazhi të sajin gati shekullor, ku individi humbi zërin përballë diktaturave.