Kur forcat Delta realizuan atë që njihet si operacioni më i madh në historinë e forcave speciale, duke rrëmbyer nga krevati Nicolas Maduron, mediat e qeverisë në Tiranë u udhëzuan të raportojnë se në Shqipëri nuk ndodh diçka e ngjashme pasi vendi ynë nuk ka shumë naftë.
Por kur ky skenar i të majtës, jo vetëm asaj shqiptare, por edhe botërore, u rrëzua nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se SHBA po noton vetë në naftë dhe nuk ka nevojë për atë të Venezuelës, mediat e Edi Ramës prodhuan lajmin se SHBA ka ndërruar mendje për Maduron, pasi thonë se ai nuk është drejtuesi i një karteli droge.
Në fakt ky është një mashtrim i madh. Uashingtoni nuk e ka akuzuar kurrë se drejton një kartel droge, por se drejton një narko-shtet. E vërteta e hidhur për Edi Ramën është se aktakuza amerikane ndaj Maduros duket sikur është shkruar edhe për kryeministrin shqiptar.
Në këtë aktakuzë për asnjë moment nuk thuhet se Maduro vetë ka drejtuar ndonjë kartel, por theksohet që në fillim se ai ka ngritur një strukturë shtetërore që ka lehtësuar narko-trafikun dhe ka përfituar prej tij, njësoj siç ka bërë Edi Rama në 12 vite, duke e nisur fillimisht me kanabizimin e plotë të vendit dhe duke kaluar tek kokaina që ka përmbytur Europën.
Njësoj si Maduro, edhe ai e vuri qeverinë shqiptare në dispozicion të krimit të organizuar për të prodhuar, transportuar dhe pastruar paratë e drogës me lehtësi, duke nisur që me Policinë e Shtetit e deri tek radarët dhe logjistika e Ministris së Mbrojtjes.
Maduro akuzohet se ka ofruar logjistikën e nevojshme për krimin që të lëvizë tonelatat me kokainë. Po a nuk ka bërë të njëjtën gjë Edi Rama? A nuk akuzohet ai nga opozita se ka bërë transporte të dyshimta me avionin e tij personal në dispozicion? A nuk lëviznin kriminelët me makinën e ministrit të tij të Brendshëm? A nuk ishte vëllai i tij në timonin e makinës së kartelit të Xibrakës? Për të mos folur pastaj për Portin e Durrësit dhe rrugë të tjera.
“Për më shumë se 25 vjet, udhëheqësit e Venezuelës kanë abuzuar me pozicionet e tyre të besimit publik dhe kanë korruptuar institucione dikur legjitime për të importuar ton kokainë në Shtetet e Bashkuara.
I pandehuri NICOLAS MADURO MOROS ndodhet në ballë të këtij korrupsioni dhe ka bashkëpunuar me bashkëkomplotistët e tij për të përdorur autoritetin e fituar në mënyrë të paligjshme dhe institucionet që ai i ka korruptuar, për të transportuar mijëra tonë kokainë drejt Shteteve të Bashkuara. Që nga ditët e tij të hershme në qeverinë venezueliane, MADURO MOROS ka njollosur çdo post publik që ka mbajtur.
Si anëtar i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, MADURO MOROS ka lëvizur ngarkesa kokaine nën mbrojtjen e forcave venezueliane të zbatimit të ligjit. Si Ministër i Punëve të Jashtme i Venezuelës, MADURO MOROS i ka pajisur trafikantët e drogës me pasaporta diplomatike venezueliane dhe ka lehtësuar mbulimin diplomatik për avionët e përdorur nga pastruesit e parave për të riatdhesuar të ardhurat nga droga nga Meksika në Venezuelë. Si President i Venezuelës dhe tashmë sundimtar de facto, MADURO MOROS lejon që korrupsioni i ushqyer nga kokaina të lulëzojë për përfitimin e tij personal, për përfitimin e anëtarëve të regjimit të tij qeverisës, dhe për përfitimin e anëtarëve të familjes së tij,” thuhet në aktakuzën amerikane për Maduron.
Më tej theksohet se nga trafiku i drogës është pasuruar elita politike e Venezuelës, duke përfshirë këtu edhe ish-ministrin e Brendshëm të VenezuelYs. A nuk është edhe Edi Rama që përmes trafikut të drogës pasuroi ministrat e tij të brendshëm me radhë, që nga Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj e Taulant Balla?
Po kështu në aktakuzën amerikane thuhet se Maduro ka pasuruar familjen e tij të ngushtë me trafikun e drogës. Bëhet fjalë për gruan dhe djalin e tij. Në të njëjtën mënyrë, Edi Rama pasuroi vëllain e tij, emri i të cilit del si aktor kryesor në laboratorin e parë të kokainës në vend, atë të Xibrakës.
Në fund të fundit, shqetësimi kryesor i SHBA mbetet fakti që Venezuela ka shërbyer si vendi ku pastroheshin lehtësisht paratë e krimit të organizuar. Por a nuk e ka kthyer Edi Rama vendin tonë në lavatriçen më të madhe të parave të pista në Europë?
“NICOLAS MADURO MOROS, i pandehuri, ndodhet aktualisht në krye të një qeverie të korruptuar dhe jolegjitime që, prej dekadash, ka shfrytëzuar pushtetin shtetëror për të mbrojtur dhe promovuar veprimtari të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës. Ky trafik droge ka pasuruar dhe forcuar elitën politike dhe ushtarake të Venezuelës, përfshirë Ministrin e Brendshëm, Drejtësisë dhe Paqes DIOSDADO CABELLO RONDON, i pandehur, si dhe ish-ministrin e Brendshëm dhe të Drejtësisë RAMON RODRIGUEZ CHACIN, i pandehur. Ky trafik droge në përmasa masive ka përqendruar gjithashtu pushtet dhe pasuri në duart e familjes së MADURO MOROS, përfshirë bashkëshorten e tij, të ashtuquajturën Zonja e Parë e Venezuelës, CILIA ADELA FLORES DE MADURO, e pandehur, si dhe djalin e MADURO MOROS, anëtar i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, NICOLAS ERNESTO MADURO GUERRA, i njohur edhe si “Nicolasito” ose “Princi”, i pandehur. Ky cikël korrupsioni i bazuar te narkotikët mbush xhepat e zyrtarëve venezuelianë dhe familjeve të tyre, ndërsa njëkohësisht pasuron narko-terroristët e dhunshëm që veprojnë pa ndëshkim në territorin venezuelian dhe që ndihmojnë në prodhimin, mbrojtjen dhe transportimin e tonëve kokaine drejt Shteteve të Bashkuara,” theksohet në aktpadinë amerikane për Maduron.
Sa i përket bashkëpunimit me kartelet, në aktpadi thuhet se Maduro ka bashkëpunuar me disa kartele të dhunshme, mes tyre edhe me Sinaloan meksikane.
Ndërsa Edi Rama jo vetëm ka bashkëpunuar me Sinaloan meksikane, por njeriun kyç të këtij karteli e ka pritur në zyrën e tij. Jo për shfajësim, por Maduro nuk e ka bërë diçka të tillë.
“Në periudha të ndryshme që nga rreth viti 1999, zyrtarë venezuelianë, përfshirë NICOLAS MADURO MOROS, DIOSDADO CABELLO RONDON dhe RAMON RODRIGUEZ CHACIN, të pandehurit, kanë bashkëpunuar me narko-terroristë nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN), Karteli i Sinaloas, Zetas, si dhe Tren de Aragua (TdA), përfshirë edhe udhëheqësin e TdA-së, HECTOR RUSTHENFORD GUERRERO FLORES, i njohur si “Niño Guerrero”, i pandehur.
Në përmbledhje, MADURO MOROS dhe bashkëkomplotistët e tij kanë bashkëpunuar, për dekada të tëra, me disa nga trafikantët e drogës dhe narko-terroristët më të dhunshëm dhe më aktivë në botë, dhe janë mbështetur te zyrtarë të korruptuar në të gjithë rajonin, për të shpërndarë tonë të tërë kokaine drejt Shteteve të Bashkuara,” thekson padia amerikane.
Thuajse në çdo paragraf të padisë së SHBA ndaj Maduros theksohet se ai është një drejtues i paligjshëm, pasi ka manipuluar zgjedhjet. A nuk është pikërisht kjo administratë në SHBA që nuk e ka uruar Edi Ramën pas farsës zgjedhore të 11 majit?
Kur e mendon se Edi Rama ka edhe një tjetër dosje në Uashington, ku emri i tij përmendet 13 herë se ka korruptuar kryezbuluesin e SHBA, pikërisht atë person që duhej të ndalte edhe këtë dallgë krimesh të narko-terroristëve, atëherë e kupton se pse lehaqenësit e Ramës janë hedhur në sulm. Në fakt më shumë se për të bindur opinionin, ata po përpiqen të qetësojnë Ramën.
Lodhen kot!
© SYRI.net




