Protestuesit në Tetovë, simbolikisht hedhin para, para dyerve të EVN-së

Përmes një marshi protestues, qytetarë të Tetovës kanë shprehur revoltën e tyre kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për 7.4%, siç vendosi Komisioni Rregullator për Energjetikë, njofton Shenja. Marshi filloi nga sheshi Iliria, protestuesit marshuan drejt bulevardit qëndror të qytetit dhe përfunduan para zyrave të EVN në Tetovë. Aty për disa minuta protestuesit qëndruan të ulur, ndërsa drejtues të këshillit organizativ hodhën para dyerve të kompanisë kopje të parave, me të cilat në mënyrë simbolike thanë se duan të ngopin kompanitë energjetike në vend.

“Ne edhe sot po shprehim revoltën tonë kundër shtrenjtimit të energjisë. Kemi ardhur këtu për të hedhur në mënyrë simbolike dy thasë me para, me shpresë që do ti ngopim kompanitë të cilat po i zhvatin qytetarët. Nëse edhe me këto nuk ngopen atëherë na mbetet tua japim gjakun dhe organet tona”, tha Arianit Xhaferi nga këshilli organizativ i protestave. Më pas protestuesir u shpërndanë më mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident.

Protesta e radhës u paralajmërua për të premten e ardhëshme. /SHENJA/