Protestuesit në Iran sfiduan një goditje vdekjeprurëse të qeverisë të shtunën mbrëma, duke dalë në rrugë pavarësisht raportimeve se qindra persona janë vrarë ose plagosur nga forcat e sigurisë gjatë tri ditëve të fundit.
Video të verifikuara dhe dëshmi të drejtpërdrejta, të shqyrtuara nga BBC, tregojnë se qeveria po ashpërson reagimin e saj, ndërkohë që vazhdon bllokada e përgjithshme e internetit në vend.
Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi Azad, deklaroi të shtunën se çdo person që proteston do të konsiderohet “armik i Zotit”, një vepër penale që dënohet me vdekje.
Qindra protestues besohet se janë arrestuar që nga fillimi i demonstratave, më shumë se dy javë më parë.
Protestat u nxitën nga rritja e shpejtë e inflacionit dhe janë përhapur në mbi 100 qytete dhe qyteza në të gjitha provincat e Iranit. Tani, protestuesit po kërkojnë fundin e sundimit klerikal të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Khamenei i ka cilësuar demonstruesit si një “grup vandalësh” që, sipas tij, synojnë t’i “bëjnë qejfin” presidentit amerikan Donald Trump.
Qeveria iraniane ka vendosur ndërprerjen e internetit në përpjekje për t’i ndalur protestat. Infrastruktura e të dhënave në Iran kontrollohet rreptësisht nga shteti dhe autoritetet e sigurisë. Qasja në internet është kryesisht e kufizuar në një intranet vendor, me lidhje të kontrolluara drejt botës së jashtme.
Gjatë viteve të fundit, qeveria ka kufizuar gradualisht qasjen në internetin global. Megjithatë, gjatë valës aktuale të protestave, autoritetet për herë të parë jo vetëm që kanë ndërprerë qasjen në internetin ndërkombëtar, por kanë kufizuar ndjeshëm edhe intranetin vendor.
Një ekspert i tha BBC-së se ndërprerja aktuale është më e rëndë sesa ajo e vendosur gjatë kryengritjes “Gra, Jetë, Liri” tre vjet më parë. Studiuesi i internetit, Alireza Manafi, tha se qasja në internet në Iran, në çfarëdo forme, tani është “pothuajse plotësisht e ndërprerë”.
Ai shtoi se e vetmja mënyrë e mundshme për t’u lidhur me botën e jashtme është përmes Starlink-ut, por paralajmëroi përdoruesit të jenë të kujdesshëm, pasi lidhje të tilla mund të gjurmohen nga qeveria.




