Protestohet në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut

Në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, sot do të zhvillohet një protestë në kryeqendrën e Shqipërisë, në Tiranë.

Organizatorët Kol Marku dhe Kristian Nela kanë njoftuar se protesta do të nisë në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të vijojë me marshim drejt ambasadës maqedonase, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Markut, protesta është totalisht apartiake dhe synon të përcjellë një mesazh solidariteti për të drejtat e shqiptarëve dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, sipas Nelës, protesta mundësohet nga vetë organizatorët për të hedhur poshtë skepticizmin dhe për të dhënë mesazhin se kombi është mbi gjithçka.

Organizatorët kanë thënë se pritet pjesëmarrje e studentëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.