Protestë para DAP në Tetovë, punëtorët që punuan në Irak dhe Afganistan kundër tatimit

Dhjetëra persona që kanë punuar në shtetet e lindjes protestuan para Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë, duke kërkuar anulimin e vendimit për pagesën e tatimeve. Ata argumentojnë se kanë qëndruar jashtë më shumë se gjashtë muaj, gjë që i liron nga tatimi, pasi bëhen shtetas jo rezidentë.

“Shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit më shumë se 183 ditë dhe sipas Ligjit për tatim personal duhet të trajtohen si jo rezidentë tatimorë. Ky status nuk na njihet nga DAP. Dëshmitë për qëndrim dhe punë jashtë shtetit nuk merren në konsideratë nga punonjësit e drejtorisë, po kërkohet edhe formalizimi i largimit nga vendi, si dhe dokument për tatim në vende në konflikt, që është e pamundur të merret nga qytetarët. Ne nuk jemi kundër tatimit, por kundërshtojmë kërkesën e padrejtë dhe retroaktive. Pesë vite mbrapa nuk është drejtësi, kërkojmë siguri ligjore”, tha një protestues.

Qytetarët shprehen të revoltuar ndaj vendimit të Qeverisë, duke thënë se janë detyruar të ikin për punë në vendet ku ka pasur konflikt, për shkak të pamundësisë për të gjetur punë në vend.

“Shkuam atje për bukën e gojës, për të mbajtur familjen. Paratë i harxhuam këtu, dhe tatimet i kemi paguar në dyqane, për ndërtim banese – pra, paratë janë derdhur sërish në shtet. Shteti duhet të na përgjigjet dhe të na lirojë nga taksa”, u shpreh një tjetër protestues.

“Kjo është e palogjikshme. Ne jemi të dëmtuar nga punët në Irak dhe Afganistan. Shkuam atje për të rritur fëmijët dhe për të ikur nga këtu, dhe tani pas dhjetë vjetësh kërkojnë paratë që ne i kemi harxhuar. Kërkojmë nga qeveria që të ndryshojë këtë ligj, sepse është i papranueshëm. Ne i drejtohemi Amerikës për dëmshpërblim, sepse kemi trauma, jemi shkatërruar; ndërsa këta na dënojnë neve“, potencoi një protestues tjetër.

Banorët thanë se do të vazhdojnë protestat dhe u bënë thirrje qyteteve të tjera të bashkohen në këtë nismë./TV21