Protestë në Shkup/ Kërkohet rishqyrtimi i dënimit prej 11 vjet burg për Faton Lurin

Protesta para Gjykatës Penale në Shkup për drejtësi për 25 vjeçarin Faton Luri. Më 29 dhjetor, Gjykata Penale dënoi Faton Lurin me 11 vjet burg për përplasjen me motoçikletë të 68-vjeçarit Jugosllav Nikollovski në bregun e lumit Vardar. Familjarët dhe dëshmitarët e cilësojnë vendimin si skandaloz dhe të ndikuar, duke thënë se ngjarja tragjike ishte një aksident dhe jo një krim me paramendim. Ata bëjnë thirrje për rishikim të procesit dhe barazi para ligjit. Babai i Fatonit, Abaz Luri tha se djali i tij po vuan një dënim që zakonisht u jepet vrasësve, ndonëse sipas tij, gjithçka ishte një fatkeqësi.

“Fatoni nuk është vrasës. Fatoni ka qëlluar rastësisht në vend të gabuar dhe në moment të gabuar. Të dënohet me atë dënim kjo është një pabesi se kjo nuk besoj që ka ndodhë deri tash në vendin tonë po as në botë nuk ndodhin dënime kaq të rënda. Shfrytëzoj rastin ti shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit. Kemi tentuar disa mënyra të kontaktojmë me ato por nuk na kanë pranuar. Apeloj te prokurorja, te gjykatësi që këto gjykime mos të bëhen me mllef ose me dëshirën e tjetër kujt por të gjykohen sipas asaj që e meritojnë”, tha Abaz Luri, Prindi i Fatonit.

“Ne nuk kemi pas dëshirë të bëjmë aksident por ndodhi, kemi qenë me 25-30 km në orë. Pasi u rrëzuam Fatoni i dha ndihmë të ndjerit pastaj erdhi policia. 11 vjet dënimi është shumë i madh. Maqedonasi, Bobani u dënua me katër vjet burg, ai e bëri me qëllim. Ne duam drejtësi, nuk e kemi bë me qëllim dhe nuk kemi ik prej vendit”, u shpreh Hamza Ibrahimi, Dëshmitar i ngjarjes.

Ndërkohë, familjarët e tjerë shprehën shqetësimin se gjykata ka rënë nën presionin e palës së dëmtuar, duke e cilësuar procesin si të njëanshëm. Protestuesit para Gjykatës Penale ngritën edhe shqetësimin e diskriminimit etnik, duke krahasuar këtë rast me vrasje të tjera të dokumentuara që kanë marrë dënime shumë më të lehta, përfshirë edhe rastin e Almirit.

“Fatonin e kanë dënuar familjarët e të ndjerit, nuk e kanë dënuar shteti ose gjykata, e kanë dënuar qysh kanë dashur familjarët. I kemi thirr familjarët të takohemi, I kam thirr në telefon por ato na kanë lajmëruar në polici se po i kërcënojmë, kemi qenë në stacion me vëllain. Ne i kemi thirr që t’u shprehim ngushëllime, kjo mund ti ndodhë secilit”, tha Suat Murtezani, familjar.

“E kemi një pyetje deri te shteti, deri kur do të vazhdoj kjo padrejtësi? Shqiptarët dënohen në gjendje mizore ndërsa pala maqedonase, me video kamera, me fakte, me vrasje me paramendim falen. Ne kemi ardhur sot të kërkojmë drejtësi në mënyrë paqësore sepse nesër mund të na ndodhë të gjithë neve prandaj jemi këtu dhe shprehim pakënaqësitë e tona si popull shqiptar që marrim dënimet në këtë shtet”, deklaroi Fatmir Jashari, protestues.

Pas protestës para gjykatës, pjesëmarrësit u shpërndanë të qetë, por paralajmëruan se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi në shkallët më të larta të gjyqësorit. Gjykata e shpalli Lurin fajtor për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”.

Sipas aktvendimit, i akuzuari drejtonte një motoçikletë pa targa dhe pa patent shoferi në një shteg për këmbësorë në rrugën “Jordan Haxhi Konstantinov – Xhinot”, një zonë e destinuar ekskluzivisht për këmbësorë, me një shpejtësi prej 35 kilometra në orë. Duke vepruar kështu, ai e goditi këmbësorin Jugoslav Nikollovski me pjesën anësore të motoçikletës, i cili si pasojë e lëndimeve të rënda në kafkë dhe tru më vonë vdiq në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. /Alsat.mk