Franca po përjeton një ditë protestash të drejtuara nga një lëvizje bazë e quajtur “Bloquons Tout” që në shqip i bie “Le të Bllokojmë Gjithçka”, dhe është një shprehje e zemërimit kundër klasës politike dhe shkurtimeve të propozuara të buxhetit.
Protestat po zhvillohen në të njëjtën ditë kur kryeministri i ri, Sebastien Lecornu, u betua pas rrëzimit të paraardhësit të tij, François Bayrou, në një votë mosbesimi në fillim të kësaj jave.
Demonstruesit bllokuan rrugët, i vunë flakën shportave të mbeturinave dhe ndërprenë aksesin në infrastrukturë dhe shkolla në të gjithë vendin.
Rreth 250 persona ishin arrestuar deri në mes të mëngjesit, tha Ministri i Brendshëm në largim, Bruno Retailleau.
Një autobus u dogj në Rennes dhe kabllot elektrike pranë Toulouse u dëmtuan, shtoi ai.
Mijëra njerëz u mblodhën në Paris, Marsejë, Bordeaux dhe Montpellier. Megjithatë, përçarja ka mbetur në shkallë mjaft të vogël. Shumica e arrestimeve u bënë në ose rreth Parisit, ku rreth 1,000 protestues – shumë prej tyre të maskuar – u përleshën me policinë jashtë stacionit të trenit Gare du Nord.
Disa u përpoqën të hynin në stacion, por u penguan nga agjentët që qëlluan gaz lotsjellës, raportojnë mediat franceze.
Shumë protestues brohoritën slogane politike kundër presidentit Emmanuel Macron dhe Lecornu. Disa mbanin pankarta kundër luftës në Gaza.
Lëvizja e paqartë “Le të Bllokojmë Gjithçka” duket se ka lindur në mediat sociale disa muaj më parë dhe fitoi vrull gjatë verës, kur i inkurajoi njerëzit të protestonin kundër shkurtimeve buxhetore prej 44 miliardë eurosh të Bayrou-t.
Lëvizja ka një karakter të dallueshëm të krahut të majtë. Kërkesat e saj përfshijnë më shumë investime në shërbimet publike, taksimin për grupet me të ardhura të larta, ngrirjen e qirave dhe dorëheqjen e Macron.
Në prag të protestave të së mërkurës, “Le të Bllokojmë Gjithçka” u bëri thirrje njerëzve të marrin pjesë në akte mosbindjeje civile kundër “masave shtrënguese, përbuzjes dhe poshtërimit”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.