Shkruan: Fitim Nuhiu
Protestat që po vazhdojnë në Serbi ditët e fundit janë aktive për më shumë se nëntë muaj. Protestuesit, kryesisht studentë kërkojnë që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, më 1 nëntor 2024. Ndërkohë, qeveria serbe mohon çdo përgjegjësi për aksidentin dhe refuzon të shpallë zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat kryesore të organizatorëve të protestave masive. Prokurorët serbë deri më tani kanë paditur 13 persona për përgjegjësinë e tyre në këtë fatkeqësi, duke përfshirë ish-ministrin për ndërtim, transport dhe infrastrukturë, por protestuesit kanë kërkuar që të bëhet më shumë për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës politikisht dhe penalisht.
Deri këtu gjithçka në rregull, mirëpo mbrëmjet e fundit gjithçka ka eskaluar dhe dhuna sikur është bërë rregull në këto protesta. Serbia s’do të jetë më si dikur, kjo po shihet qartë. Mirëpo, ajo që duam të nxjerrim në pah është se Serbia por edhe qytetarët e vet, sikur po na dëshmojnë se rrugëtimi i tyre drejt Evropës apo vlerave evropiane ka qenë një farsë vetëm e vetëm për të përfituar politikisht dhe ekonomikisht, se qasja e tyre natyrshëm, e përhershme ka qenë dhe është drejt Rusisë.
Shqetësuese për botën Perëndimore dhe demokratike është se këto protesta po na qartësojnë disa të vërteta për Serbinë dhe qytetarët e saj:
– Flamujt që ekspozohen s’të japin përshtypje e vlerave evropiane, të kujtojnë sikur na thonë: ‘ja ku jemi për “kryqëzata” të reja, jemi më të fortët kundrejt të gjithë popujve fqinj’ (shto këtu, kur edhe shteti del publikisht intimidon njerëzit e tjerë nga shtetet fqinje që po i bëjnë këto trazira, kupto Slloveninë);
– Pati mendime të analistëve se në këto protesta ka kauza dhe ideologji të larmishme, por, realisht kjo rrezikon edhe më shumë që të ndërlikohet dhe të rëndohet situata në terren;
– Të rinjtë, kryesisht studentë, po protestojnë dhunshëm kundër pushtetit aktual të Vuçiqit, mirëpo ajo që na habit është se po shfaqin mllef të madh edhe kundrejt shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, edhe pse asgjë s’ka të bëjë me ta;
– Qasja fashiste dhe homofobe e protestuesve (gjë që po na dëshmojnë që janë larg qytetarisë së mirëfilltë) të lënë përshtypjen se do të ketë një përfundim fatal për një numër të madh njerëzish (kupto: policë/protestues), madje edhe më keq, Serbia po rrezikon të shkojë drejt luftës civile;
– Shteti me mekanizmat e saj të sigurisë, po bëjnë veprime që është në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e veta, kur nxjerr policë civilë (si banditë) në rrugë që kërcënojnë me gjuhën e trupit dhe të sjelljes (me maica të zezë, me tatuazhe, me muskuj) protestuesit, nxjerrin revolet, shtiejnë në ajër dhe i torturojnë fizikisht. Vlen theksuar se edhe presidenti Vuçiç po nxit këtë përplasje civile, kur u shfaq në selinë e partisë në Beograd gjatë protestave masive. Atje, ai i inkurajoi anëtarët e SNS-së të përballeshin me demonstruesit.
Vala e protestave, sidomos mbrëmjet e fundit është në nivele shqetësuese. Pritshmëritë janë që të jenë edhe më të dhunshme edhe në ditët në vijim, sidomos kur po afron përvjetori i ngjarjes tragjike kur edhe filluan protestat. Anarkia po shihet sikur po zë vend në këtë shtet që ekspertët e sigurisë e vlerësojnë për shtetin më të konsoliduar në Ballkan, për çështje sigurie. Por, ç’po ndodhë, kush po i nxit këta protestues që të jenë kaq të dhunshëm. Disa analistë serbë thonë se Perëndimi e bën këtë për të rrëzuar Vuçiqin që mban herë anën e Evropës e herë të Rusisë, por është vështirë të deshifrohet një gjë e tillë kaq shpejt.
17.08.2025, Preshevë