Protestat në Iran përhapen në gjithë vendin, spitalet të mbingarkuara nga të plagosurit

Protestat në Iran, të nisura më 28 dhjetor për shkak të krizës ekonomike, po vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin, pavarësisht ndërprerjes së internetit dhe dhunës së ushtruar nga forcat e sigurisë. Deri tani raportohet se më shumë se 50 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Ndërsa protestat në Iran vazhdojnë dhe autoritetet iraniane lëshuan paralajmërime të koordinuara për protestuesit, mjekët thonë se, disa spitale janë të mbingarkuara me të plagosur, shkruan BBC.

Një mjek tha se një spital i syve në Teheran kishte kaluar në gjendje krize, ndërsa BBC mori gjithashtu një mesazh nga një mjek në një spital tjetër duke thënë se nuk kishte kirurgë të mjaftueshëm për të përballuar fluksin e pacientëve.

Të premten, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Irani ishte në “telashe të mëdha” dhe paralajmëroi se “më mirë të mos filloni të qëlloni sepse edhe ne do të fillojmë të qëllojmë”.

Irani në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së fajësoi SHBA-në për shndërrimin e protestave në atë që e quajti “akte të dhunshme subversive dhe vandalizëm të përhapur”.

Krerët e disa vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën, kanë dënuar përdorimin e dhunës ndaj protestuesve dhe i kanë bërë thirrje Teheranit të respektojë të drejtat e qytetarëve.

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehën shqetësimin për dhunën e ushtruar nga forcat e sigurisë iraniane.