Zgjedhjet e kontestuara në Tanzani kanë shkaktuar trazira të dhunshme me barrikada, sulme ndaj stacioneve të policisë dhe dhjetëra viktima. Protestuesit sulmuan edhe aeroportin, duke tentuar të pengonin largimin e elitave politike, të akuzuara për manipulimin e zgjedhjeve nga partia e presidentes Samia Suluhu Hassan. Ndërsa qeveria mohon viktimat, OKB-ja konfirmon të paktën 10 të vrarë, ndërsa opozita flet për qindra viktima në Dar es Salaam dhe Arusha.
Protestat, që filluan të mërkurën, janë shoqëruar me djegie automjetesh, sulme ndaj qendrave të votimit dhe stacioneve të policisë. Qeveria ka vendosur orë policore, ka ndërprerë internetin, ka mbyllur universitetet dhe ka rritur prezencën e forcave të armatosura në rrugë. Të rinjtë kundërshtojnë sundimin autoritar dhe mungesën e lirisë, duke u bashkuar me valën e protestave si në Kenia, Mozambik dhe Madagaskar.
Opozita akuzon për manipulime dhe e cilëson pjesëmarrjen në zgjedhje minimale, ndërsa partia qeverisëse CCM drejton vendin që nga pavarësia në 1961. Organizata Human Rights Watch kritikon qeverinë për represion dhe mungesë transparence. Analistët e klasifikojnë Tanzaninë si një “autokraci elektorale”, ku zgjedhjet janë formalisht shumëpartiake, por jo të lira dhe të drejta. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët vazhdojnë të protestojnë kundër qeverisjes autoritare./tvklan.al




