Protesta “Monstra”, Sunaj Avdiu nga Hasanbegu dënohet me 18 muaj burg

Me 18 muaj burg është dënuar Sunaj Avdiu nga Hasanbegu nën akuzën për dhunë ndaj policëve në protestën e 26 shkurtit kundër rastit “Monstra”.
Dënimi i është shqiptuar sot pasdite, njofton avokati i tij, Asmir Alispahiq.
Sipas avokatit mbrojtës, prokuroria nuk ka dëshmuar asnjë provë bindëse kundër Avdiut, por gjykatësja Daniella Aleksovska megjithatë ka shqiptuar dënim drakonik.
“Nuk kishte asnjë provë kundër Sunajit. Dënimi iu shqiptua në bazë të pantallonave, gjoja e paskan njohur në bazë të pantallonave që i ka mbajtur. Paramendoni çfarë prove mund të jenë pantallonat dhe sa njerëz sot mund të kenë pantallona të njëjta”, deklaroi per gazetën Lajm, avokati Asmir Alispahiq. Sunaj Avdiu mbetet në paraburgim deri në plotëfuqizimin e aktvendimit.

Ai është personi i gjashtë që dënohet për pjesëmarrje në protestën e 26 shkurtit.

Fillimisht, pasi kanë pranuar veprën me nga një vit burg janë dënuar Behar Dalipi,
Besart Kalisi dhe
Shaban Veseli.
Më pas me nga 16 muaj u dënuan edhe Fabio Idrizi dhe Arton Sadiku.