Propozim ligji për rritjen e taksës ekologjike është dërguar në Parlament

Qeveria dorëzoi në parlament propozimin për aplikimin e taksës ekologjike, dhe për uljen e TVSH-së, së energjisë elektrike. Do të bëhen ndryshime edhe në Ligjin për Tatimet dhe Ligjin për Mjedisin jetësor, të cilat aktualisht janë në procedurë parlamentare.

Lidhur me ligjin e tatimit të vlerës së shtuar, i njëjti gjendet në procedurë në Kuvend. Gjithashtu edhe propozimi për ndryshime ligjore për taksë më të madhe ekologjike për derivatet e naftës, është dërguar në Kuvend – njoftojnë nga Qeveria e RMV.

Për koalicionin Aleanca dhe Alternativa kjo taksë është kontestuese, sepse nuk do dihet saktë ku do të shpenzohen mjetet e grumbulluara, që sipas planit, ato do të përfundojnë në arkën e shtetit, prandaj do jenë kundër ligjit.

VMRO-DPMNE-ja gjithashtu thotë se në vend që të investojë në mjedis, Qeveria synon të mbushë buxhetin në kurrizi të qytetarëve.

Masa do të ketë efekt kryesisht fiskal në rritjen e të ardhurave të buxhetit. Nuk ka asnjë lidhje me ekologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit, por është vetëm një emër tjetër për taksën e krizës. Ndërsa dihet që taksat e krizës, si rregull, futen pas përfundimit të një situate të caktuar krize, dhe jo në mes të vetë krizës, në mënyrë që të mos thellohet më tej kriza ekzistuese – tha Trajko Slaveski- VMRO-DPMNE.

Taksa ekologjike prej 3,5 denarëve pa TVSH do të jetë për dizelin, benzinën, vajin ekstra të lehtë dhe mazutin. Plani është që përmes kësaj takse në buxhet të arkëtohen 54 milionë euro për 1 vit, mjete që sipas Qeverisë do të ndahen për investime në burimet ripërtëritëse të energjisë.