Pronari i restorantit ku ndodhi shpërthimi në gjendje të rëndë, kjo është gjendja e të lënduarve tjerë

Për shkak të shpërthimit të një bombole të gazit në restorantin “Steak House” në Ferizaj, mbi 40 persona kanë mbetur të lënduar.

6 persona kanë pësuar më shumë se 30 për qind djegie, andaj edhe janë dërguar për trajtim shëndetësorë jashtë vendit. 4 persona janë dërguar më 7 janar për trajtim në Turqi, ndërsa 2 janë dërguar ditën e djeshme në Austri.

I pari që u dërgua në Turqi ishte vetë pronari i restorantit, G.S, i cili kishte pësuar 50 për qind djegie, dhe ishte në gjendjen më të rëndë shëndetësore.

Megjithatë, ai ende nuk ka pasur ndonjë përmirësim, përkundër që u dërgua në Turqi.

Afërdita Hoxha, e cila ka mbledhur fonde për t’i ndihmuar të lënduarit financiarisht për trajtim jashtë vendit dhe është në kontakt me familjarët e të lënduarve, ka thënë për Express se G.S vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ajo ka thënë se ai nuk ka pasur përmirësime.

“Gjendja e tij po vazhdon të jetë e rënduar. Ai nuk ka përmirësime”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Hoxha ka treguar se vajzës 20-vjeçare, e cila është dërguar për trajtim shëndetësorë në Turqi për shkak të lëndimeve që ka marrë, i janë shfaqur probleme në veshka.

Kurse, 44-vjeçari, F.S është në gjendje stabile, por që po mbahet në gjumë për shkak të plagëve që ka.

“F.S është në gjendje vitale stabile, po e mbajnë në gjumë për shkak të plagëve të thella. Ndërsa vajzës iu janë paraqitur probleme me veshkë”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, E.B, i cili po ashtu po trajtohet në Turqi, është zgjuar dhe është larguar nga intubimi sot. Ai po ashtu ka takuar bashkëshorten e tij dhe ka mundur të bisedoj me të.

Ndërsa, dy personat tjerë të lënduar të cilët janë dërguar dje për trajtim në Austri, nuk dihet se si e kanë gjendjen shëndetësore.

Gjatë trajtimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte thënë se gjendja e tyre është pak më e lehtë se e pacientëve tjerë që janë dërguar në Turqi.

Nga mjekimi intensiv në QKUK, ishte thënë për Express se 6 të lënduarit kishin pësuar më shumë se 30 për qind djegie.

Ndërsa, në gjendjen më të rënduar kishte qenë vetë pronari i restorantit G.S i cili kishte pësuar 50 për qind djegie, andaj edhe urgjentisht kërkohej që ai të dërgohej jashtë vendit për shërim.

Kurse, ndonëse nga mjekimi intensiv kishin kërkuar që të 6 pacientët të dërgoheshin për trajtim në Turqi, nga ky shtet kishin thënë se kanë vend vetëm për 4 pacientë.

Andaj dy pacientët tjerë, përkundër gjendjes së rënduar shëndetësore ishin ndalur për trajtim në QKUK. Ndërsa, ditën e djeshme ata janë nisur për trajtim shëndetësorë në Turqi.