Pronari i Besa Trans: Ngushëllime familjeve, do të sqarohem për tragjedinë që na ndodhi

Pronari i kompanisë turistike “Besa trans” Shkup, Bekim Haxhiu ende gjendet në Bullgari me bashkëshorten e tij.

Në një prononcim për TV21 ka shprehur ngushëllime deri te familjarët e viktimave të tragjedisë së 23 nëntorit.

Ka premtuar, se sapo të kthehet në Maqedoninë e Veriut do të rrëfejë të gjitha.

“Ngushëllime të gjithë familjarëve të viktimave! Të presim ekspertizën që do të përcaktojë shkakun e aksidentit. Unë besoj këtyre ekspertëve që do të tregojnë saktë se çfarë ka ndodhur. Atë natë isha edhe unë në kolonën e autobusëve dhe derisa mbërrina në kufi, më njoftuan se ka ndodhur aksidenti dhe se ka viktima. E kamë lënë autobusin dhe kam kthyer prapa me taksi, deri në vendin e aksidentit. Ende jam me bashkëshorten në Bullgari që nga ajo ditë. Po presim që viktimat të kthehen në Maqedoni dhe do të sqarohem te ju në TV21 për të gjitha që di rreth kësaj fatkeqësie”, tha Bekim Haxhiu gjatë një bisede telefonike me redaksinë e TV21.

Ndërkaq më 23 nëntor në autostradën Struma në Bullgari mori flakë autobusi i kompanisë “Besa trans” Shkup teksa kthehej nga Turqia. Si pasojë, ndërruan jetë 45 persona dhe u lënduan 7 të tjerë./TV21