Promovohet rruga “Ismail Qemali” në Çair

Shkup, 12 maj – Sot në Shkup, në lagjen Fushë Topanë, u përurua rruga
“Ismail Qemali” (ish “Bllagoja Paroviq”). Në përurimin e kësaj rruge
mori pjesë kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i shoqëruar nga disa
deputetë si dhe prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, në cilësinë
e inisiatorit për riemërtimin e rrugëve të Shkupit.

Ky është një hap i rëndësishëm në rikthimin e lavdisë së dikurshme që
e kishte Shkupi, duke vendosur shenjat orientuese me emra shqiptarësh.
Kësaj radhe në Shkup vjen një emër i madh – Ismail Qemali, i cili në
kujtesën e shkupjanëve të moçëm ka ngelë një figurë unike që
bashkëpunoi me krerët e Lëvizjes kombëtare nga Vilajeti i Kosovës në
procesin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nderimi ndaj Ismail Qemalit nuk do të përfundoj me kaq, pasi që
planifikohet që krahas Hasan Prishtinës, figura e tij të përjetësohet
në një shtatore bronxi.

Riemërtimi i rrugëve e shesheve të Shkupit (mbi 150 sish) kishte
filluar para disa viteve dhe ishte bërë realitet pas miratimit të
iniciativës së ITSHKSH në Asamblenë komunale të Qytetit të Shkupit, ku
një kontribut të jashtëzakonshëm dhanë edhe asambleistët shqiptarë.

Së shpejti pritet që edhe një rrugë e Shkupit (ish “Llazar Tanev”) të
përurohet me emrin e Ukshin Hotit, ku pritet të marrin pjesë edhe
prsonalitete nga Kosova, përfshi edhe familjarët të Hotit.