(E plotësuar 12:25) – Avokati i Veselit: Gjykatës, ju e dini, s’ka asnjë fije prove kundër tij
Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pasur po ashtu vërejtje për materialet që po i nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.Emmerson ka thënë se po detyrohen që të analizojnë shumë materiale të Prokurorisë, të cilave është e vështirë t’u gjendet lidhja.
“Pse na duhet ne ta ndërtojmë çështjen e Prokurorisë që të fillojmë hetimet tona”, tha avokati britanik.Ai përmendi një material, ndërsa i tha gjykatësit Nicolas Guillou se edhe ai vetë “e di se s’ka prova”.




“Ju i nderuari gjykatës, e kuptoni nga analiza e provave që pretendimet e materialit kundër Kadri Veselit janë shumë të dobëta. Bazohet në prova që nuk ekzistojnë”, tha Emmerson.
“S’ka asnjë fije prove kundër tij”, theksoi avokati.
***
Avokati i Thaçit: Janë 124 dëshmitarë për të cilët nuk po jepen detaje
shtë duke u zhvilluar seanca gjyqësore lidhur me rastin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi të akuzuar kinse për krime lufte në Kosovë.
Gjatë kësaj konference në kuadër të Speciales, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, David Hooper deklaroi se kërkon që të trajtohen disa çështje të cilat po u shfaqin probleme mbrojtjes.
Sipas tij ka probleme sa i përket materialeve gjë kjo e cila po u pengon atyre të trajtojnë çështjen sic duhet.
“Unë do ti kërkoj që të trajtojë këto çështje, kur them çështje e kam fjalën për ato që ngritët ju.Ka një grup çështjesh të lidhura, të lidhura në pikën një deri mbase tek përkthimi, deri tek rregulla C. Në lidhje me nxjerrjen e materialeve ka pasur disa vështirësi konkrete të cilat kryesisht janë trajtuar nga SPS-ja, kur u vu në dukje, por mbetet ai që unë e quaj problem të përgjithshëm. Mënyra se si sistemi me anë të cilit nxirren materialet nuk është i dobishëm , pra mund të them se nga sistemet e nxjerrjes së materialeve me të cilën kemi punuar në gjykatat e tjera ky sistem këtu është më pak i dobishmi dhe është problem, sepse mënyra se si bëhet nxjerrja zbulimi i materialeve dhe ndihma që mund të marrësh nga materialet e tilla, sidomos në materiale të shumta, ky sistem duhet të jetë si një udhërrëfyes për të ndihmuar mbrojtjen, për të marrë materialet e për të kuptuar çështjen”, tha Hooper.
Tutje ai theksoi se në këto raste ka 124 dëshmitarë të që shumica prej tyre njihen me pseudonime, por që nuk janë dhënë përmbledhje lidhur me ta.




“Në fund për ti trajtuar dhe për të vendosur përparësitë e saj lidhur me hetimet që do të zhvillohen. Në këto raste ka 124 dëshmitarë që janë bërë të njohur shumica e tyre siç e dini me pseudonime, nuk na është dhënë ndonjë detaj, nuk kemi as edhe pesë rreshta lidhur për çfarë do të diskutojnë këta dëshmitarë. Asnjë dëshmitarë nuk është bërë i ditur bashkë me provat shoqëruese, sepse kur ka një dëshmitarë duhet të ketë dhe prova që lidhen me ata dëshmitarë e jo të na lihet ne të lidhim dëshmitarin me dokumente të caktuara.Mungojnë hollësitë në lidhje me materialin, mungojnë hollësitë dhe SPS-ja vazhdon të veprojë kështu sepse kështu e thonë në argumentet e tyre.Mungojnë tabelat lidhëse e janë disa pika që kur bëhen bashkë krijojnë problem. Sa i përket hollësive dua t’ia kalojë fjalën Sofisë”.
***
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Fillimisht, gjykatësi Nicolas Guillou paraqiti agjendën e kësaj konference, ndërsa një prokurore e Zyrës së Prokrurit të Specializuar, tregoi të rejat e fundit lidhur me materialin akuzues dhe atë shfajësues, ndërsa foli edhe për dëshmitarët që do t’i përdorin gjatë gjykimit.
“ZPS-ja vazhdon të përmbush rregullat e veta lidhur me materialin”, tha prokurorja. “Ne po përgatisim nxjerrjen e materialeve të tjera. Parashikojmë se nxjerrja e disa materialeve mund të kërkojë masa mbrojtëse”, shtoi ajo.
Prokurorja po ashtu foli edhe për dëshmitarët, shumë nga të cilët tha se do të përdoren gjatë gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.




“Nuk është përfcaktuar nëse ne do t’i përdorim këta persona në gjyq. [..] Parashikohet që shumica e madhe e këtyre dëshmitarëve do të përdoren në gjyq. Jemi në proces, dëshmitarët dhe procat e tyre do t’i bëjmë të njohura kur të vijë koha”, tha ajo.
Para kësaj konference, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021.
***
Ka filluar seanca gjyqësore në drejtim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë.
Kjo seancë njihet ndryshe si konferencë e tretë për statusin e palëve.
Por në këtë seancë të radhës nuk janë të pranishëm asnjëri nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake deklaroi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk janë të pranishëm në sallë, por që ata kanë mundësi ta ndjekin seancën përmes lidhjeve me kamerë.
Avokatët dhe prokuroria do të bëjnë shqyrtimin e çështjes dhe do të diskutohen disa prej temave që lidhen me këta të fundit.
***
Ka filluar konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, e paraparë me rregullën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara.
Kjo është seanca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së.
Ndryshe, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.
***
Gjykata Speciale ka bërë të ditur se seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të mbahet më 16 shkurt në ora 11:00.Ndryshe, sa i përket seancës për Salih Mustafën, javën e kaluar ka pasur zhvillime.
Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, e ka marrë vendimin e parë lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në procesin gjyqësor ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.Katër persona janë paraqitur si viktima dhe kanë aplikuar përmes postës elektronike për t’u bërë pjesëmarrës në procesin gjyqësor kundër Mustafës.
Tre nga personat që u paraqitën si viktima vijnë nga e njëjta familje, thuhet në raportin që Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave ia ka dorëzuar gjykatësit Nicolas Guillou.Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave thotë se aplikantët s’kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet nga kjo zyrë.
Gjykatësi Nicolas Guillou ka vlerësuar se viktimat e paraqitura kanë përshkruar akte që s’kanë lidhje gjeografike dhe kohore me krimet për të cilat akuzohet ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa.
Zyra që merret me viktimat thotë se aplikuesit s’kanë kërkuar masa mbrojtëse, me përjashtim të njërit, që ka kërkuar që informacioni i tij identifikues të mos zbulohet për publikun.