Prokuroria për rastin e Zekolli-Shaqirit: Do të parashtrojmë ankesë pasi ta pranojmë aktgjykimin

Të pyetur nga TV21, Prokuroria Publike Themelore ka bërë të ditur se edhe ata nuk janë të kënaqur nga aktgjykimi për rastin e vdekjes së bashkëshortit të Kaltrina Zekolli Shaqirit dhe se do të parashtrojnë ankesë pasi ta pranojnë vendimin.

“Prokuroria Publike gjithashtu nuk është e kënaqur nga aktgjykimi dhe do të parashtrojë ankesë menjëherë pasi ta pranojë aktgjykimin, me qëllim që të kihet vëmendje në të gjitha rrethanat në vendimin e Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Gjatë ditës, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila aktualisht bartë postin e zëvendësministres së Transportit dhe Lidhjeve, ka shprehur publikisht pakënaqësinë nga aktvendimi ku për 7 muaj burg u dënua shkaktari i aksidentit, ku humbi jetën bashkëshorti i saj teksa ngiste biçikletë.