Prokuroria: Nuk është hedhur poshtë kallëzimi penal ndaj Faton Pecit për grantet

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka dalë me një reagim, duke thënë se është hedhur poshtë kallëzimi penal i ngritur nga LDK ndaj tij për grantet në bujqësi, gjatë kohës sa ishte ministër i këtij dikasteri.

Ai tha se do të ngrejë kallëzim penal për kallëzim të rremë penal ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, deputetes Hykmete Bajrami dhe ish-deputetit Paris Guri, teksa përdori gjuhë të rëndë ndaj tyre, raporton Klankosova.tv.

Por, gëzimit të tij “ia preu këmbët” Prokuroria Speciale, e cila mohoi se është hedhur poshtë kallëzimi penal i LDK-së ndaj tij për çështjen e granteve në bujqësi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se rasti për të cilin po raportohet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P., nuk ndërlidhet me hetimet që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë”.

“Rasti në fjalë ka të bëjë me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik LDK, i cili ndërlidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës”, tha ndër të tjera Prokuroria në njoftimin publik për media.

Peci ndër të tjera përdori fjalë të ulëta ndaj zyrtarëve të LDK-së, teksa ish-deputetin Guri e quajti “miush” e “tellall”.

“Kjo situatë ka qenë e vështirë për mua dhe familjen time, por gjithmonë kam qenë i bindur në drejtësinë dhe integritetin tim”, shkroi Peci në Facebook. /Klankosova.tv