Prokuroria nisi hetim kundër një shkupjani që u përpoq ta vrasë gruan me pistoletë

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 55-vjeçari, i dyshuar për veprën penale vrasje, ndërsa ndaj tij është iniciuar edhe procedurë për rrezikim të sigurisë, transmeton Portalb.mk.

Më 1 mars, në shtëpinë familjare dhe në prani edhe të një personi tjetër, gjatë një rasti të dhunës në familje, ai me qellim u përpoq ta vrasë bashkëshorten e tij, thonë nga Prokuroria.

Sipas hetuesve, i dyshuari nxorri një pistoletë që e posedonte me leje, e mbushi dhe qëlloi një plumb, i cili kaloi pranë të dëmtuarës, u përplas në parket dhe përfundoi në dritare.

“Më pas i dyshuari zbriti në katin e poshtëm dhe u tha dy vajzave se kishte qëlluar ndaj nënës së tyre. Ato, së bashku me të dëmtuarën, u larguan nga shtëpia. Më 5 mars, i dyshuari përsëri, para dy fëmijëve, e kërcënoi bashkëshorten me pistoletë me qëllim që t’i shqetësonte dhe t’i frikësonte. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, pasi ekziston rrezik arratisjeje, mundësi për ndikim mbi dëshmitarët dhe procedurën, si dhe rrezik që ai ta përfundojë vrasjen që kishte tentuar ta kryente”, thonë nga Prokuroria.