Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimin për manipulim të votave në komunën e Podujevës.
Sipas komunikatës për media, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të Drejtave të Votimit.
Gjatë këtij procesi, ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.
Më së shumti dallime në vota pas procesit të rinumërimit në Podujevë ka pasur te kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kandidatit Vendenis Lahu pas rinumërimit i janë hequr 407, kandidatit Ejup Maqedonci 389 vota, kandidates Adelina Stublla 244 vota, Kandidates së PDK-së për deputete, Ditjona Statovci, i janë hequr 230 vota.
Të dielën 34 persona janë ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për shkak të dyshimeve se kanë manipuluar me rezultatin zgjedhor në dy komunat e Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ditëve të kaluara janë ndaluar e paraburgosur edhe komisionerë e vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren, Malishevë e komuna të tjera
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor të vitit që shkoi, ndërsa numërimi ka përfunduar më 3 janar.
Por, më 13 janar, KQZ-ja filloi procesin e rinumërimit pasi një mostër prej 2% të votave të verifikuara shpërfaqi manipulime te votat e kandidatëve.



