Prokuroria nis hetimet për deklaratat e djeshme të Kurtit në konferencë për media

Me anë të një komunikate për media, Prokuroria ka treguar se inicimi i hetimeve ka të bëj me konferencën e djeshme të Kurtit bashkë me ministren Rozeta Hajdari, ku u njoftua për shkarkimin e zyrarëve të Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”.
“Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës, që të ndërmarr veprime hetimore lidhur me rastin e raportuar nga mediat me titull: “Kryeministri në detyrë Albin Kurti: Jemi detyruar që të ndërhyjmë shpejt për të parandaluar keqpërdorimin që po i bëhej parasë publike”, sipas cilit shkrim Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë njoftuar për vendimin për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të menaxhmentit të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal Prishtina”, është bërë e ditur në komunikatë publike.

Ndërkaq, Ministrja Rozeta Hajdari, ka prezantuar gjetjet kryesore që kanë ardhur nga raporti i Auditorit të Jashtëm si dhe nga raporti i Auditimit të Brendshëm për vitin 2016, 2017, 2018.